Histori me zhurmues – Prodhimi i tezgjahut të parë në vendin tonë duket se impenjoi një uzinë të tërë. Për të folur pikërisht për punën e bërë për realizimin e tezgjahut ishte në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Leonard Çipi. Ai tha se për realizimin e tij u deshën mbi 850 punëtorë.

“Uzina mekanike e tekstilit në Berat ka qenë e projektuar nga ISPM. Erdhi si detyrë që industria tekstile të kishte një uzinë të vetën. Uzina u inagurua në vitin 1976 dhe nisi punën. Objektivi i saj ishte të prodhonte pjesë këmbimi për të gjitha ndërmarrjet e industrisë së lehtë. Aty punonin mbi 850 punëtorë. Doli si detyrë prodhimi i makinës së tezgjahut. U krijuan dy grupe pune, një për prodhimin e makinës së tezgjahut dhe një për prodhimin e makinës qepëse. Në vitin 78-79 ne realizuam tezgjahun e parë, kopjim i një modeli kinez. U bë një punë e madhe dhe puna e grupit konsistoi në prodhimin e detaleve. U hartuan teknologji për detale të veçanta. Në kombinate u krijuan shumë reparte me makinat e prodhuara në uzinën tonë. Në atë periudhë u realizuan detale të vështira. Në vitet 76-77 dukej që marrëdhëniet me Kinën nuk po shkonin siç duhet. Kjo bëri që ne t’i realizonim vetë gjërat në tërësi. Në uzinë kemi bërë edhe mbulesa për kabina avionësh në vendin e pilotit. Kur u projektua uzina mua deshën të më çojnë në Kinë, por nuk më çuan”,tha Çipi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv