May Hayat i rrodhën lotët në sytë e saj teksa qëndronte në heshtje kur u kthye në vendin ku u mbajt festivali Nova.

Ajo i shpëtoi vdekjes nga sulmi i Hamasit një muaj më parë. Hayat, 30 vjeç, ishte duke punuar si banakiere në festivalin e muzikës Nova, disa kilometra larg gardhit të sigurisë së Gazës, kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan më 7 Tetor, duke vrarë 260 pjesëmarrës në festival dhe duke marrë peng të tjerë.

Hayat u kthye në ambientet afër Kibbutz Re’im në Izraelin jugor për herë të parë, duke shpresuar se kjo do ta ndihmonte të pajtohej me traumën e saj.

May Hayat: Këtu u shtriva, po, këtu ishte lokali, këtu ishte skena  tragjike, më lanë të shkoja prej andej, drejt pjesës tjetër të lokaleve, dhe ja ku vrapova drejt nga andej. Të gjithë ata ishin terroristë.

Ajo ndihet e frikësuar sa herë dëgjon shpërthim, teksa rikthen kujtimet e asaj dite. May shprehet se kur ndodhi sulmi u ul menjëherë në tokë për t’u mbrojtur teksa terroristët gjuanin me predha dhe raketa. Burri që kishte qenë me të u qëllua për vdekje.

Ajo tha se Hamasi filloi të gjuante raketa në jug të Izraelit ndërsa të rinjtë po kërcenin rreth orës 6:30 të mëngjesit. Të shtënat filluan kur personat e armatosur të Hamasit që mbërritën nga Gaza arritën në festivalin muzikor, disa prej tyre në këmbë dhe disa me motoçikleta.

May Hayat: Në një moment ata vranë edhe një mikun tim sepse ai po qante, pranë meje. Terroristët ishin gati të më hipnin në një automjet, automjeti nuk ndizte dhe më pas pati një konfuzion mes tyre, plani i tyre ndryshoi, nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, dhe më pas ne filluam të ecnim drejt zonës së festivalit dhe ata filluan të plaçkisnin gjithçka që panë. Duke u bërë në një moment palë me ta nga frika se mos më vrisnin i thashë atyre merrni gjithçka dhe kjo është ndoshta ajo që e bëri atë të kishte mëshirë për mua dhe më la të shkoja. Vrapova, shoh plot njerëz të armatosur rreth meje me armë, pushkë, gjithçka që mund të mbanin dhe u fsheha.

Ajo i mbijetoi kalvarit të saj duke u fshehur, duke u lyer me gjakun e një viktime në fytyrë dhe duke u shtirur si e vdekur. Sprova e saj përfundoi kur ushtarët izraelitë mbërritën disa orë pas fillimit të sulmit të Hamasit.

May Hayat: Jo, jo, jo, jo, jo, jo, kështu bërtita me të madhe. Terroristët më gjetën së bashku me një djalë tjetër i cili po qante. Kur ata mbërritën drejtë nesh djali e kuptoi që ata thanë kemi dy të rrëmbyer këtu (në arabisht).  Ndjeva se do të më përdhunonin. Kur dëgjova ushtrinë që vinte prej andej, mu deshën disa minuta për të kuptuar se ishte ushtria që po dëgjoja teksa vinte, dhe më pas bërtita ‘ndihmë!’ dhe ata erdhën për të më nxjerrë jashtë.

Hayat është një nga shumë izraelitë që po përpiqen të pajtohen me ngjarjet e 7 Tetorit që shkaktuan një ofensivë tokësore izraelite për të zhdukur Hamasin. Dhjetëra militantë të Hamasit që kishin kaluar nëpër gardhin e fortifikuar të Izraelit përmes Gazës hapën zjarr mbi rreth 3500 të rinj izraelitë dhe të huaj nga e gjithë bota që ishin mbledhur për të festuar festën hebraike të Sukkot.

Rreth 1,500 izraelitë, kryesisht civilë, u vranë në sulmet e militantëve islamikë nga Hamasi më 7 Tetor dhe 240 u rrëmbyen. Videot e fundit përpara se horrori të niste, tregojnë se bëhej fjalë për një festival si gjithë të tjerët, njerëz të rinj duke kërcyer deri në agim. Sipas disa burimeve, në këtë event merrnin pjesë më shumë se 4 mijë persona. Nga pamjet, ata dukeshin pjesa më e madhe nën moshën 30-vjeçare.

Ishin mbledhur në një zonë të izoluar në jug të Izraelit për festivalin Supernova, një event që u kishte premtuar pjesëmarrësve kërcim, muzikë, art, pije, në një vend sekret. Atyre që kishin blerë bileta iu tha që të shkonin në një vend në veri të Re’im kibbutz, rreth 6 kilometra në lindje të Gazës.

Në orët që pasuan, Hamas do të lëshonte me mijëra raketa në Izrael. Disa prej pjesëmarrësve në festival mund të dallohen teksa shohin tymin e zi mbi kokat e tyre. Të tjerë nuk venë re gjë dhe vijojnë të kërcejnë.

Në një tjetër video të postuar vetëm pak kohë më pas, muzika ka ndaluar. Njerëzit kishin nisur të evakuoheshin nga vendi ku mbahej festivali. Disa në panik, të tjerë përkulen për t’u strehuar, ndërsa disa të tjerë janë nisur nga dalja.

Teksa disa rendnin drejt fushave dhe shkretëtirës, militantët kishin zbarkuar në vendin ku zhvillohej festivali, duke vrarë në vend kë i dilte para. Qindra kufoma mbetën në  vendin e ngjarjes, ndërsa të tjerë u morën peng nga militantët. Pengmarrjet e kanë zanafillën nga ky festival ndërsa më pas u shtrinë edhe në disa lagje izraelite.

Avihai Brodutch ka një muaj që jeton në një makth. Ai kujton se në atë mëngjes fatal të 7 Tetorit, erdhi breshëria jashtëzakonisht e madhe e raketave, diçka që sistemi i mbrojtjes raketore të Iron Dome i Izraelit e kishte të vështirë ta neutralizonte. Mes konfuzionit, Brodutch u largua nga shtëpia e tij për të parë se për çfarë ishte gjithë trazira. Në atë moment, gruaja e tij Hagar  së bashku me tre fëmijët e tij  vajza 10-vjeçare Ofri, djali tetë-vjeçar Yuval dhe djali katër-vjeçar, u mbyllën në dhomën e sigurt të shtëpisë së tij.

Nuk kaloi shumë kohë që Kibuci u pushtua nga militantët e Hamasit, kështu Avihai humbi kontaktet me familjen e tij. Ai ishte i sigurt se ata ishin vrarë gjatë masakrës, por më vonë u kontaktua nga një fqinj i cili ishte dëshmitar i rrëmbimit dhe dërgimit të tyre në Gaza nga personat e armatosur.

Ndërsa tronditja u shndërrua në dëshpërim, Brodutch mendon se mund të bëjë pak për të ndihmuar familjen e tij që po mbahet rob në Gaza. Ai vendosi të qëndronte jashtë ministrisë së mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv, me qenin e tij Ruddy.

Avihai Brodutch: Tani, ka kaluar kaq shumë kohë që kam filluar ta humbas përsëri. Dhe ju e dini, kanë kaluar 31 ditë dhe kjo është kohë shumë e gjatë pa fëmijët e mi dhe gruan time, dhe që ata të mbahen robër në një vend të huaj, nën tokë, dhe askush nuk e di në çfarë situate janë për sa i përket shëndetit, ose nëse po ushqehen. Kam gati një muaj që qëndroj çdo ditë në Ministrinë e Mbrojtjes në Tel Aviv. Kjo situatë kaq e pashpresë po më lodh.

Ditë e natë, ai ulej jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, duke mbajtur një tabelë ku shkruhej: “Familja ime është në Gaza”. Shpresa e tij përfundimtare ishte që ministria e mbrojtjes të zhvendosej nga operacionet e saj ushtarake për t’u fokusuar në sigurimin e lirimit të pengjeve.

Avihai Brodutch: Pra, unë thjesht doja që ata të shihnin, këtë slogan, të dinin që unë jam aty çdo ditë që familja ime është mbajtur peng.  Ata nuk mund të më injorojnë, sepse të gjithë jemi këtu duke kërkuar për ata që po mbahen nga militantët. Ata duhet ti shikojnë të gjitha fotot e të gjitha familjeve dhe fëmijëve, dhe grave, dhe baballarëve, djemve dhe vajzave. 

Protestës së tij të vogël shpejt iu bashkuan qindra anëtarë të tjerë të familjes dhe miq të pengjeve, duke përfshirë mbështetës. Negociatat për fatin e rreth 240 pengjeve izraelitë dhe të huaj të mbajtur në Gaza kanë vazhduar prej javësh. Perspektiva e një marrëveshjeje për të liruar të paktën disa prej tyre – ndoshta në këmbim të një armëpushimi ose lirimin e palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite po vijon .

Drejtori i CIA-s, William Burns, takoi David Barnea, kreun e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, në Doha, kryeqyteti i Katarit. Disa nga udhëheqësit politikë të Hamasit janë të vendosur në Katar. Çështja e pengjeve ka të ngjarë të marrë një vëmendje shumë herë më të madhe tanimë sipas analistëve. Mes përpjekjeve kaq intensive diplomatike, vizita të profilit kaq të lartë si këto mund të sugjerojnë se një lloj njoftimi është gati të shpallet.

Klan News