Në Gusht të vitit 2019, në fshatin Sulaj të Fierit u gjet i vrarë me thikë 23-vjeçari Florian Selimaj. Trupi i tij ishte hedhur në një kanal dhe u gjet pas disa orësh kërkime.

Mamaja e viktimës, Dukate Selimi, në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka rrëfyer se si e gjetën djalin të vrarë dhe te cilët persona dyshojnë që janë autorë të ngjarjes.

Ajo thotë se mbrëmjen kur u zhduk djali i tyre, kanë qëndruar së bashku me policinë në vendin e ngjarjes, aty ku ishte ndaluar makina me defekt e 23-vjeçarit. Por, zonja Dukate shprehet se policia nuk ka bërë kërkim gjatë natës, por kanë qenë vetë familjarët të cilët kërkonin.

Në mëngjes ishte bashkëshorti i saj i cili gjeti trupin e pajetë të të birit në anë të kanalit. 23-vjeçari Florian Selimi ishte goditur me thikë në qafë dhe trupi i tij ishte tërhequr për disa metra nga vendngjarja.

“Burri im e gjeti. Në mëngjes vetëm ai u fut duke kërkuar edhe e ka gjetur. Ka ecur për 30 metra në ujë dhe është gjetur pikërisht në vendin ku qeni i policisë ka kërkuar që të ikte për në drejtim të djalit. Por e kanë mbajtur aq fortë. Djalin e ka gjetur burri në orën 06:30, na ka thirrur ne, ka thënë hajdeni se e gjeti baba djalin e vetë. Kemi qenë të gjithë, kanë vrapuar disa prej tyre. Djalin e kanë gjetur në cep të kanalit, kishte ngelur tek barishtet. Kanë vajtur e kanë marrë. Ishte shumë e çuditshme që ata (policia) nuk kanë pasur një ambulancë aty në vendngjarje. Kanë mbajtur djalin mbi 1 orë pa çuar në morg sepse nuk kishin asnjë ambulancë në vendngjarje. Djalin e kemi gjetur të therrur në qafë me thikë. 20-25 metra është vendi ku e kanë tërhequr. E kanë tërhequr pastaj aty i kanë futur thikën, pastaj e kanë shtyrë e kanë hedhur në kanal, kanë ecur edhe 20-30 metra në kanal”, shprehet Dukate Selimi. /tvklan.al