Merreshin me aktivitet kriminal, por kishin harruar të paguanin diçka që më vonë do bënte t’u viheshin prangat

Dënim dhe deportim. Këtë vendim ka marrë gjykata britanike gjatë muajit Tetor për dy shqiptarë, të cilët u kapën në një fabrikë kanabisi.

J. Imeraj, 36 vjeç dhe A. Kurmekaj, 42 vjeç kujdeseshin për 1.210 rrënjë kanabisi. Autoritetet përllogaritën se vlera e shitjes së saj në treg do të shkonte deri në 1 milion Paund.

Si ranë në pranga dy shqiptarët?

Nuk ishte policia, por një agjent pronash dhe një bravandreqës, të cilët zbuluan aktivitetin kriminal.

Ata kishin shkuar në banesën në Riverside Park të Middlesbrough për të ndryshuar bravat dhe të dëbonin qiramarrësit pasi nuk kishin bërë pagesat.

Ngjarja ndodhi më 30 Gusht ndërsa u çuditën kur gjetën brenda banesës pajisje nga më të ndryshmet që shërbejnë për rritjen e drogës.

Pas arrestimit dy shqiptarët e pranuan që merreshin me atë punë, por e bënin për të shlyer një borxh që e kishin marrë për t’u larguar nga Shqipëria. Dy “kopshtarët” u dënuan me nga dy vjet burg./tvklan.al