Histori me zhurmues – Në vitin 1978 u mbyllën marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës. Një “dashuri” e cila zgjati plot 17 vite, gjatë të cilave Kina i ofroi Shqipërisë 1.4 miliard dollarë ndihma. Izolimi i Shqipërisë solli një sërë nismash revolucionare, një pjesë e të cilave kishin të bënin me shpikje, racionalizime dhe novacione. Shumë prej këtyre nismave kishin si qëllim forcimin e ekonomisë socialiste të asaj kohe. Për të folur për këtë periudhë ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Abaz Bajraktari, një nga personat që në atë kohë bëri një shpikje të guximshme me miqtë e tij të kombinatit metalurgjik.

“Duke marrë shkas nga të gjitha vështirësitë që u krijuan në të gjithë degën e industrisë së kombinatit dhe amortizimit të lokomotivave, ne vendosëm ti zëvëndësonim ato me saurrelë.

Në kombinatin metalurgjik në sektorin ku unë punoja punonin 9 lokomotiva, por erdhi një moment që filluan defektet dhe lokomotiva do të zëvëndësohej me një saurrel. Në fillim nuk e besuan, madje edhe qeshën, por me konsultat që morëm u bindëm që realizohej. Fillimisht zëvëndësimi nuk funksionoi, saurreli doli nga shinat. E hoqëm, bëmë matje të tjera me matjen origjinale të rrotës së lokomotivës dhe nuk doli më nga shinat. Këto saurrelë u morën nga jashtë, ishin me kilometrazh 0. Ministria e mbështeti planin tonë dhe na vuri në dispozicion mjetet. Mbaj mend që ndjeja kënaqësi sepse na dhanë një fletë lavdërimi, por shpërblim material nuk na dhanë. Në atë kohë ne vinçin piru e bëmë edhe fadromë, iu vu një piston hidraulik. Kjo na e lehtësoi shumë punën sepse ngarkohej qymyri me to. Pasi ne bëmë gati zëvëndësimin e lokomotivave me saurrelë na jep urdhër drejtori i kombinatit që të dilnim dhe “ti thyenim hundët kinezëve”. Dhe ne i bëmë gati dhe shofer hipi drejtori. Pranë kombinatit tonë kalonin kinezët dhe kur kaluam ne me 6 vogona pas të gjithë kinezët u habitën, një gjë e pabesueshme. Ky ka qënë fundi kur u prishëm me Kinën. Në atë kohë që të punoje automekanik lokomotive duhej te kishe përgjegjësi të madhe sepse dëmi që mund të shkaktoje ishte kolosal”,tregoi Bajraktari.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv.