Nga foltorja e Kuvendit, Damian Gjiknuri foli për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe votën e diasporës. Si rrallëherë, renditi disa pika dakordësie me palën tjetër, madje duke i falenderuar këta të fundit për mirëkuptimin.

Së pari u shpreh optimist për numrin e lartë të regjistrimeve të diasporës.

“Ne brenda 7, 8 muajsh vijmë me një paketë ku adresojmë problemet që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Si të lehtësojmë votën e diasporës, ku realisht jemi të gëzuar që janë regjistruar shumë shtetas, një shifër që mund të shkojë në 200 mijë apo më shumë zgjedhës. Shqipëria do realizojë një rekord nëse ndodh kështu, sepse është vlerë impresive, gjë që asnjë shtet s’e ka arritur kur e ka përfshirë për herë të parë, madje as Kosova.”


Së dyti, u ndal te kostoja e dërgimit të votës me postë që sipas tij duhet ta mbulojë shteti.

“Me këtë projektligj adresojmë edhe një problem tjetër, që kostot e postës, që mund të shkojë deri në mbi 50 euro për votë, të paguhet nga buxheti i shtetit. S’ka asnjë gjë partiake këtu, pse jo ta inkurajojmë sa më shumë. Falenderoj opozitën që gjetëm konsensus në këtë pikë.”

E në sajë të transparencës, Gjiknuri deklaroi se në këto zgjedhje do ketë një komision në Tiranë për administrimin e votës së diasporës.

“Me të drejtë opozita kërkoi që administrimi të bëhet nga një staf teknik i KQZ-së, përballë syve të publikut, ne përsëri gjetëm dakordësi për një komision të natyrës politke për administrimin e votës së diasporës, që do jenë në Tiranë. Hap i mirë, dhe dua të përgëzoj krahun tjetër.”

Për barazinë në garën elektorale, theksoi 2 ndryshimet e tjera për të cilat po ashtu është gjetur konsensus mes opozitës e mazhorancës.

“Koha në dispozicion për reklama politike ose fushata në media për kandidatët. Me ndryshimet në Kushtetutë të 2020-ës, këta kandidatë e kishin të pamundur të bënin fushatë po të mos kishin një rregullator nga qendra e partisë. 140 minuta reklamë do të jenë në dispozicion të kandidatëve në listat parapëlqyese! Për të promovuar identitetin e tyre politik apo programin e tyre. Po ashtu do mundësohet vetëfinancimi i fushatës së tyre.”

Kundërshtia që e ritheksoi ishte ajo për “dhënien e një shansi vote edhe për ata emigrantë që kanë vetëm dokumentet biometrike të shtetit ku jetojnë”.

“Një njeri që ka humbur çdo lidhje me territorin ndër vite, vota e tij nuk është ajo që duhet të përcaktojë fatet e këtij vendi”, argumentoi Gjiknuri.

/tvklan.al