Infantino: Organizatorët do të jenë të rreptë

Siguria gjatë finaleve të Kupës së Botës do të jetë një nga aspektet që FIFA u ka kushtuar më shumë vëmendje. Në bashkëpunim me organizatorët në Katar, janë marrë masa që tifozët të udhëtojnë të qetë në çdo destinacion, por edhe në impiantet ku do të zhvillohen ndeshjet si dhe në zonat e grumbullimit të tyre.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se siguria e Kupës së Botës në Katar është kritike dhe si e tillë organizatorët do të jenë shumë të rreptë në aplikimin e saj.

“Ne do të jemi shumë të rreptë, siguria e të gjithëve është gjëja më e rëndësishme. Por do të jetë një festë unike dhe e plotë”.

Infantino u përpoq të devijojë kur u pyet për pijet alkoolike gjatë Botërorit duke qenë se ende nuk është përcaktuar përfundimisht se si do të kryhet shitja apo konsumimi i tyre.

“Të gjithë tifozët nga e gjithë bota janë të mirëpritur për të festuar dhe për të parë ndeshjet. Nëse dikush dëshiron të vijë për të shkaktuar probleme, ai nuk është i mirëpritur, sigurisht”.

Deklaratat e Presidentit të FIFA erdhën gjatë një ndalese në Costa Rica në turin e tij të vizitave në Amerikën Qëndrore.

Tv Klan