Qeveria nis diskutimin për hartimin e ligjit

Qeveria planifikon që brenda muajit Janar të vitit 2020 të miratojë një projektligj, i cili do të detyrojë qytetarët që të paguajnë prim të detyrueshëm për sigurimin e banesave të tyre nga katastrofat natyrore, siç janë tërmetet, përmbytjet dhe zjarret.

Një ditë më parë, kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Komitetit të Rindërtimit Arben Ahmetaj mblodhi kompanitë e sigurimit për të diskutuar dy nisma ligjore: ndryshimin e ligjit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike dhe mbledhjen e propozimeve për nismën e sigurimit të detyrueshëm të banesave.

Mësohet se si draft fillestar mbi të cilin nisën diskutimet teknike është marrë ai i hartuar me asistencën e Bankës Botërore në vitin 2014, ku vendoset si kusht që përpara marrjes së certifikatës së pronësisë, banesa të ketë të paguar edhe siguracionin.

Një tjetër nen që është diskutuar është edhe i vendosjes së kufirit se kur kompanitë duhet të paguajnë dëmet. Aktualisht mendohet që kompanitë të nisin zhdëmtimet nëse ka dëme pas 21 ditë reshjesh shiu në rastin e përmbytjeve dhe në dëmtimet që mund të shkaktojë një tërmet me intensitet mbi 5 ballë.

Nisma për sigurimin e detyrueshëm të banesave është artikuluar disa herë nga qeveria në rastet kur ka patur katastrofa natyrore, por deri më sot ka mbetur vetëm në letër.

Primi i sigurimit mund të kushtojë nga 10 deri në 50 euro për një banesë normale në vit për një familje, por grupet e ekspertëve ende nuk kanë dalë në një metodologji zyrtare.

Tv Klan