Ardit Gjokrosa është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën akuzat për sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje ndaj shtetasit Hamza Terziu, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjokrosa dyshohet se ka qenë i përfshirë në sigurimin e kushteve dhe të mjeteve të nevojshme për kryerjen e vrasjes së Terziut. Ai dyshohet për veprimtari kriminale dhe bashkëpunim mes disa personave për realizimin e veprave të rënda penale, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.

Përveç akuzës që lidhet me sigurimin e kushteve për vrasje, ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, si dhe për kryerjen e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale ose grupi të strukturuar.

Pas ekstradimit nga Gjermania, Gjokrosa do të përballet me procedurat ligjore në Shqipëri, ndërsa autoritetet e drejtësisë do të vijojnë trajtimin e çështjes në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.

Gjokrosa prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

/tvklan.al