Epidemiologia Silva Bino ka treguar sot të gjitha avantazhet që ka testi i shpejtë i antigjeneve. Në një deklaratë për mediat, bashkë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë dhënë lajmin se nga e hëna në Shqipëri do ketë teste të shpejta.

Bino tha se testi është gati 100% i sigurt dhe nëse rezulton pozitiv, nuk ka nevojë që të bëhet testi me PCR.

Testi është gati 100%  i sigurt, gjë e cila e barazon atë me PCR dhe nuk ka nevojë për përsëritjen e tij. Pra nëse testi është pozitiv, ai është me të vërtetë pozitiv. Na jep rezultate në kohë reale. Përgjigjja merret brenda 30 minutave dhe kjo është një lehtësi e madhe për ti dhënë përgjigje personit, por edhe për të lehtësuar hetimin epidemiologjik në kohë reale.

Ky test na lejon të përmirësojmë disa elementë të punës tonë në terren. Po kryhen trajnime në lidhje me testin. Është një test që njihet nga OBSH”, u shpreh Bino.

Manastirliu u shpreh se testet e shpejta do nisin në Tiranë që nga e hëna dhe nga data 20 Dhjetor do jenë të aksesueshëm dhe në qytete të tjera./tvklan.al