Të gjithë që i njihnin nuk e besonin kurrë se ata të dy do të ishin bashkë, e aq më pak të martoheshin dhe të krijonin familje. Por, e kishin gabim! Nuk thonë kot, që dy të kundërta tërhiqen, kështu është dhe romanca e Silva Gunbardhit dhe Dafit.

Ajo ishte një vajzë e qetë dhe e arsimuar, kurse ai një djalë çapkën dhe gango! Një ndryshim i madh mes tyre, por që për 12 vite arritën të ruanin të njëjtën dashuri për njëri-tjetrin, pavarësisht gjithçkaje.

Pasditen e kësaj të shtune, Silva Gunbardhi në emisionin “Rudina” në Tv Klan nuk flet për këngën apo albumin e fundit të publikuar, por për raportin e saj me Dafin.

Gunbardhi thotë se edhe pse kanë kaluar plot 12 vite, zemra e saj rreh me shpejtësi si ditën e parë që e ka takuar, sytë e saj ndriçojnë njësoj kur takojnë të tijtë. E pra kjo ndoshta është dashuria e vërtetë, kur pranon dhe do dikë ashtu siç është!

“Një grua e dashuruar është ajo që harron të gjitha ëndrrat dhe fantazitë fëmijërore dhe e pranon atë që ka përballë ashtu siç është. Kur jam lidhur unë me Dafin shumica e njerëzve janë çuditur, sepse unë isha një vajzë e urtë me shkollë dhe me të gjitha të mirat, kurse përpara kisha një çun gango, komplet e kundërta ime. Parukierja ime më thoshte ‘maksimumi me këtë ti Silva gjashtë muaj shkon’, epo kanë kaluar 12 vjet! Përditë e shoh, pavarësisht përballjeve që kemi se çdo çift ka përballjet e veta dhe vështirësitë e jetesës së përditshme, çdo ditë që e shoh, e shoh në dritë të syrit. Më ndriçojnë sytë kur e shikoj atë”, tregoi Gunbardhi./tvklan.al