Trajneri i Kombëtares foli për kundër Moldavisë të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024
Trajneri Silvinjo shprehet se ndaj Moldavisë, në fushë do të jetë një Shqipëri e fortë dhe me dëshirë për të fituar. Braziliani tha në konferencën për shtyp se është i kënaqur me përkushtimin e ekipit, ndërsa vlerëson kundërshtarët.
Ai e bëri të qartë se kuqezinjtë nuk ndikohen nga presioni, ndërsa do të luajnë sfidën e dytë të Grupit E në kualifikueset e Euro 2024 në stadiumin “Air Albania”.
“Kemi shtatë finale për të luajtur, nesër është e para! Kjo është një ndeshje tepër e rëndësishme për ne. Sigurisht që do të kemi një ndihmë të madhe sepse luajmë në shtëpi, e do të na ndihmojnë tifozët. Një ekip duhet të luajë një futboll të ekuilibruar për 90 minuta; të sulmojë, të mbrojë, të luftojë e të krijojë lojë. Nuk do të shikoni ekipin e Sylvinhos, do të shikoni ekipin kombëtar të Shqipërisë që luan me 100 km/h… Jam i bindur se djemtë do të japin maksimumin, do të japin zemrën në fushë. Në një stadium të tejmbushur.”
Braziliani mendon se përfaqësuesja moldave është një rival i rrezikshëm dhe e bën të qartë se nuk ka ekipe të vogla.
“Moldavia që kam parë është një ekip i ri, i mirërreshtuar, mirëtrajnuar e që stërvitet mirë. Kundërshtarët kanë forcë, janë mirë fizikisht dhe luajnë mirë me topin, Është një ekip i fortë që shtyn përpara. Do të jetë një ndeshje e fortë, e vështirë, por kjo më pëlqen më shumë. Pas dy muajsh punë dhe studim, ne kemi shansin të zbresim në fushë dhe të marrim maksimumin.”
Edhe kapiteni i kuqezinjve, Elseid Hysaj tha në konferencën për shtyp se ndaj Moldavisë duhet luajtur me kujdes. Kuqezinjtë janë përballur pesë herë kundër moldavëve, ku kanë fituar 4 herë dhe kanë barazuar vetëm 1.
Klan News