Artan Simaku, mjek infeksionist në Institutin e Shëndetit Publik, ka folur së fundi për situatën pandemike në vend teksa është ndalur tek mosha mesatare më e prekur nga virusi.

Në një prononcim për Klan News ai është shprehur se ka një rritje të moshës mesatare të personave që kanë humbur jetën, që është rreth moshës 50-vjeçare.

Simaku tha se mosha mesatare e viktimave të Covid-19 në nisje të pandemisë ishte 60-70-vjeç.

Pyetje: Jo vetëm numri i të infektuarve po rritet tek moshat e reja, por fatkeqësisht edhe numri i personave të cilët ndërruan jetë. A keni ju ndonjë informacion apo përllogaritje të saktë se sa është ulur mosha mesatare e personave të cilët gjejnë vdekjen si pasojë e Covid-19?

“Edhe mosha e personave të vdekur ka pësuar rënie. Pra nga 60-70 vjeç që ishte nga fillimi i pandemisë, ka një ulje të theksuar të moshës që është rreth moshës 50 vjeç. Shifrat po përditësohen dhe ndryshojnë çdo ditë, por 50-55 vjeç është një moshë relativisht e re krahasuar me nisjen e pandemisë.

Vihet re që masat nuk po respektohen. Tre masat e famshme që janë shumë të thjeshta nuk po respektohen nga ana e qytetarëve dhe nga ana e bizneseve. E them në mënyrë të përsëritur që kjo nuk është çështje gjobash, nuk është çështje inspektorati, çështje kontrollesh etj, është çështje ndërgjegjësimi.

Që në fillim të pandemisë është thënë që do bashkëjetojë për shumë muaj dhe jo vetëm kjo, por edhe pasi të mbarojë pandemia do të kemi një ‘realitet të ri’ në lidhje me ndërgjegjësimin e popullatës për respektimin e këtyre masave sepse këto masa janë të njëjta edhe për gripin e zakonshëm stinor”, u shpreh Simaku.”

Klan News