Në këtë episod emisioni “Me Çelësa në Derë” në Tv Klan do të zhvendoset në qendër të Tiranës. Tirana’s Rock Tower ngrihet buzë sheshit Skënderbej në skajin tjetër të hapësirës ku shtrihej Pazari i Vjetër, pikërisht në fillim të rrugës së Dibrës.
Prej aty ku mund të vizitohen lehtësisht në këmbë të gjitha pikat e referimit të kryeqytetit. Por, nuk janë vetëm këto elemente që e bëjnë të veçantë këtë ndërtesë, arkitektura unike është ajo e cila e dallon nga ndërtesat e tjera përreth. Kjo ndërtesë është një simbol i historisë shqiptare dhe “përfaqësuese” e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
“Nuk e kisha menduar kurrë që do të hipja në një godinë të tillë kaq të bukur në zemër të sheshit Skënderbej, e cila përfaqëson njëkohësisht heroin tonë kombëtar,” u shpreh e mahnitur moderatorja e programit, Orinda Huta.
Ranel menaxheri i projektit, jep më shumë detaje rreth kësaj ndërtese, ndërtimin dhe funksionaliteteve të saj.
“Godina pozicionohet në krahun lindor të sheshit Skënderbej, me një pozicion strategjik që bën të aksesueshme të gjitha pikat e Tiranës. Studioja arkitekture ndërkombëtare është MVRDV, i cili ka marrë vizionin e heroit tonë kombëtar, ka krijuar formën bustit e pozicionuar nga statuja e Skënderbeut në qendër të Tiranës. Godina është me 4 kate nën tokë dhe me 26 kate mbi tokë, me destinacion parkim, dyqan, apartamente dhe zyra të kombinuar. Ka një lartësi prej 89 metra mbi tokë dhe këtu është bërë një pozicionim dhe zgjedhje e arkitekturës që t’i përshtatet shumë qendrës së Tiranës.”
Duke u përqendruar më shumë tek imazhi që kjo ndërtesë synon të përfaqësojë, Ranel shpjegon se çdo gjë është menduar në detaje, përfshirë këtu dhe ndriçimin delikat që do të nxjerrë në pah bustin e heroit kombëtar të përshtatur me mjedisin përreth të sheshit.
“Këtu është bërë një zgjedhje shumë delikate dhe e menduar mirë nga arkitekti, pjesa e ndriçimit do të jetë e imët dhe elegante që të japë siluetën e ndriçimit, të japë formën e bustit pa e ngarkuar qendrën me drita të panevojshme.”/tvklan.al