Pro-rusi George Simion, i cili humbi në balotazhin presidencial të së dielës përballë kryebashkiakut pro-europian të Bukureshtit kërkon përsëritjen zgjedhjeve presidenciale.
“Ashtu siç u përjashtua nga gara me pa të drejtë Calin Georgescu, me një vendim të pabazuar në asnjë fakt nga Gjykata Kushtetuese, ne do e sfidojmë në këtë gjykatë zgjedhjen e Nicusor Dan–it president”, tha Simion.
Në një konferencë për shtyp, lideri i partisë së djathtë radikale, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, hodhi akuza për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve dhe se rivali Nicusor Dan u ndihmua në mënyrë të fshehtë nga Franca dhe Moldavia, me financime dhe fluks postimesh në rrjetet sociale, në favor të tij.
Akuzat e tij i lidhi me deklaratat e Pavel Durov, drejtuesit të rrjetit të mesazheve Telegram që dyshohet për lidhje me Moskën, i cili një ditë pas balotazhit në Rumani tha se shërbimet sekrete franceze i kishin kërkuar të bllokonte të gjitha postimet në mbështetje të radikalëve të djathtë në Rumani.
Deklaratat e Durovit u mohuan kategorikisht nga qeveria franceze. Durov dyshohet për lidhje të fshehta me Kremlinin.
Tv Klan