Thirrjes së fundit të KLGJ-së nuk iu përgjigj asnjë gjyqtar

Thirrjes së fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’u bërë pjesë e Gjykatës se Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit nuk i është përgjigjur asnjë gjyqtar. Sipas kryetarit të kësaj gjykate, Sandër Simoni, dy janë arsyet që pengojnë magjistratët, frika nga vetingu dhe monitorimi i vazhdueshëm.

Thirrjes së KLGJ-së nuk i është përgjigjur asnjë gjyqtar. Presim që të rishpallen sërish këto vende dhe shpresojmë që të vijnë gjyqtarë. E para, ka disa kufizime të privatësisë së gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre. Për të kaluar si gjyqtar i Gjykatës së Posaçme kërkohen si kusht edhe kalimi i vetingut. Mendoj se këto dy arsye kanë penguar konkurrimin e gjyqtarëve”.

Për Simonin, shpresa e madhe mbeten magjistratët e rinj, duke iu bërë thirrje atyre që të synojnë të bëhen pjesë e Gjykatës së Posaçme.

“Kam besim tek gjyqtarët e rinj, ata që kanë mbaruar shkollën e Magjistraturës. Kemi ftuar gjyqtarët e rinj, i kemi nxituar ata bashkë me KLGJ dhe Euralius për t’i nxitur gjyqtarët e rinj duke i inkurajuar. Shpresojmë që ky ndërmjetësim të sjellë paraqitjen e kandidaturave”.

Ka kaluar një vit nga themelimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe ky institucion akoma nuk ka organikën e plotë për të gjykuar dosjet e referuara nga SPAK. Në përbërje të saj janë 9 anëtarë nga 15 të tillë, 2 prej të cilëve pritet të largohen për t’iu bashkuar Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, si pjesë e Reformës në Drejtësi së bashku me Prokurorinë e Posaçme, janë krijuar për të goditur krimin e organizuar, si dhe korrupsionin tek zyrtarët dhe ish-zyrtarët.

Kjo gjykata ka në kompetencë që të gjykojnë edhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe krerëve të bashkive dhe deputetëve.

Tv Klan