Koronavirusi po përhapet me shpejtësi nëpër glob, duke krijuar një situatë alarmante. Mëngjesin e kësaj të hëne, në Italianë fqinje u konfirmua viktima e katërt nga ky virus ndërsa të infektuarit janë 203. Virusi ka vënë në gjendje gatishmërie edhe autoritetet në vendin tonë, ndonëse deri më tani nuk raportohet për asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.

Masat janë dyfishuar në pikat kufitare, ku mësohet se janë monitoruar mbi 4 500 udhëtarë.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë përcjell informacion mbi simptomat e këtij virusi dhe si mund të mbrohemi prej tij.

Cilat janë simptomat e një personi të infektuar me koronavirus?

Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, marrje fryme dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficencë të veshkave, madje edhe vdekje”.

Si të mbroni veten dhe të tjerët nga infeksioni i Covid-19?

“Mbuloni gojën dhe hundën me bërrylin e përkulur apo letër higjienike kur kolliteni dhe teshtini; Hidhni çdo letër higjienike të përdorur në një kosh të mbyllur; Pastroni duart me larës të lëngshëm me bazë alkooli ose sapun dhe ujë pas kollitjes ose teshtitjes dhe kur ofroni kujdes shëndetësor”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit COVID-19 rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenjë klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital./tvklan.al