Me ftohjen e motit kanë ardhur dhe virozat të cilat prekin sidomos fëmijët. Për të folur më shumë në lidhje me një sindromë e cila po prek shumë fëmijë këtë periudhë, sot në emisionin “Rudina” ishte e ftuar mjekja pediatre Sonila Brati.

Ajo tregoi se kjo virozë e re mund të ngatërrohet shpesh me viruse të tjera si lia e dhenve. E rëndësishme është që fëmijët të mos shkojnë në kopësht apo çerdhe në momentin që prindërit vërejnë simptomat e para, kjo për të parandaluar përhapjen.

Sonila Brati: Virozat janë ciklike në çdo periudhë të vitit, jo vetëm në dimër por edhe në periudhën e Pranverë- Verës, ne kemi një rast të shtimit të virozave. Bëjmë afërsisht 50 apo 60 vizita në një turn për një mjeke. Karakteristikë kryesor në këto ditë të vitit janë infeksionet e rrugës respiratore, që dominojnë temperaturat e larta tek fëmijët. Infeksionet e rrugës së poshtme respiratore, infeksionet urinare dhe një sindromë e re predominon në këto ditë që nga mesi i Tetorit, po bën afërsisht një muaj që është një sindromë e re dermatologjike.

Rudina Magjistari: Nuk është hasur më herët apo jo?

Sonila Brati: E kemi pasur para pandemisë, duke qenë që në 2020 ne u mbyllëm dhe shumë gjëra u bënë jo evidente. Pra nuk kishte viroza, fëmijët nuk ishin të sëmurë duke qenë që nuk frekuentonin kopshtet dhe çerdhet. Tani ka raste shumë, mund të kemi 2 – 3 raste gjatë një dite.

Rudina Magjistari: Çfarë është konkretisht kjo kjo virozë?

Sonila Brati: Është një sindromë që origjinën e ka nga virusi Koksaki, ajo e shkakton edhe është karakteristikë e saj.  Mund të fillojë me temperaturë te fëmijët. Fëmija mund të ketë 2 deri në 3 ditë temperaturë. Dhe pastaj fillon shfaqja e elementeve fillimisht në pjesën dhe të gjuhës, në hapësirën e brendshme. Pastaj fillon dalja jashtë e këtyre elementeve  në pjesën e jashtme të gojës,  në pjesën e shputave të duarve dhe të këmbëve, shpesh herë ngatrohet me variçelën në fakt, ose më linë e dhenve sepse elementet janë të ngjashme. Por që nuk është ajo sepse lija e dhenve ka karakteristikë që fillon nga pjesa e sipërme, kurse kjo e ka në pjesë specifike./tvklan.al