2 miliardë doza deri në Qershor për përshpejtimin e vaksinimit

Vaksina e firmës kineze Sinovac është duke u përdorur në 22 vende të botës. Plani ambicioz i kësaj firme është të prodhojë 2 miliardë doza brenda 2 muajve për të përshpejtuar ritmet e vaksinimit në vendet ku po shpërndahet, të cilat deri më tani i ka furnizuar me 160 milionë doza.

Turqia është një nga vendet ku kjo vaksinë po luan rolin kryesor në procesin e imunizimit të popullatës. Presidenti Rexhep Taip Erdogan ishte ndër të parët që e mori që në Janar kur vaksina ishte ende në faza testimi klinik në këtë vend.

Rezultatet e testeve në Turqi kanë treguar efektshmëri 83.5% të kësaj vaksine. Sinovac i ka bërë ofertë për furnizim edhe nismës COVAX ku bën pjesë edhe Shqipëria, teksa pritet marrja e një vendimi. Por vendi ynë e merr paraprakisht këtë vaksinë nga Turqia.

Sakaq, AstraZeneca, një tjetër firmë vaksinat e të cilës përdoren edhe në Shqipëri, njoftoi se efikasiteti i produktit të saj është 76% në parandalimin e të gjitha formave simptomatike të Covid-19 dhe 100% për rastet e rënda.

Tv Klan