AMF krijon regjistrin e statusit të pagesës së dëmeve

Të gjithë personat të cilët kanë për të marrë dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit për dëmet që u janë shkaktuar automjetit të tyre, tashmë mund të shohin statusin e kërkesës së tyre në kohë reale përmes regjistrit të dëmeve.

Platforma e re është ndërtuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe bën në kohë reale lidhjen me të dhënat e çdo kompanie sigurimi. Drejtorja e Zbatueshmërisë në këtë autoritet thotë se qytetarët duhet të kërkojnë kodin personal kur të bëjnë kërkesën pranë shoqërive të sigurimit dhe do platforma do të monitorojë procesimin e pagesës së tyre sipas afateve kohore.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të përfundojë në fund të këtij muaji edhe regjistrin e historikut të dëmit të makinave, ku në bazë të numrit të shasisë do të shihet numri dhe lloji aksidenteve të bëra. Ky regjistër do të ndihmojë implementimin e sistemit bonus-malus.

Sistemi bonus – malus pritet të hyjë në fuqi më 1 Prill të këtij viti, në bazë të një udhëzimi që mori një vit më parë bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Kjo skemë e re do të nisë të aplikohet me çmim më të reduktuar për drejtuesit dhe makinat që nuk kanë bërë aksidente, ndërsa dyfishon primin e sigurimit për mjetet që kanë shkaktuar aksidente duke ndarë mënyrën e tarifimit me 18 klasa. Udhëzimi u jep të drejtë qytetarëve që shesin makinën që t’u kthehet pagesa e bërë për periudhën e pashfrytëzuar të siguracionit.

Tv Klan