Microsoft njofton se versioni i ri i sistemit operativ, Windows 11 do të dalë më 5 Tetor. Sistemi i ri do të jetë i disponueshëm si përditësim i ri për kompjuterët me Windows 10.

Përditësimi do të jetë pa pagesë, por ashtu si në të kaluarën, do të ndodhë me faza. Pajisjet e reja do të jenë ato që do të mund ta marrin të parat, ndërsa në javët e mëvonshme do të jetë e disponueshme për më shumë pajisje që ndodhen tashmë në treg.

Një njoftim do të shfaqet në pajisjen ekzistuese për të informuar kur mund të bëhet përditësimi.

Jo të gjitha opsionet e reja që janë lajmëruar nga kompania do të lançohen. Microsoft po sjell aplikacionet e Android pas partneritetit me Amazon dhe Intel, por 5 Tetori nuk do të jetë data kur mund ta keni këtë risi.

Me shumë mundësi, viti 2022 do ta ofrojë këtë për të gjithë përdoruesit, pas fazës së një testimi të brendshëm në muajt e ardhshëm./tvklan.al