Situata e Covid-19: Cilat janë qytetet më të rrezikuara dhe si po shkojmë drejt rihapjes



Situata e Covid-19: Cilat janë qytetet më të rrezikuara dhe si po shkojmë drejt rihapjes

13:40 30/05/2020

Situata e pandemisë së koronavirusit në Shqipëri ka qenë e qëndrueshme gjatë gjithë muajit Maj. Prej datës 4 të këtij muaji, vendi pothuajse u hap pasi në vend u zgjeruan zonat e gjelbra, u lanë udhëtimet ndërqytetase me taksi për dy pasagjerë si dhe ndryshoi vetëkarintinimi i personave që vinin nga jashtë shtetit.

Një javë më vonë në vend u lejuan të fillojnë punë parukeritë, berberët, dentistët dhe dyqanet në qendra tregtare. Secila hapje u shoqërua me protokollet përkatëse të sigurisë.

Ndërkohë me 18 Maj u hapën baret dhe restorantet për ambientet e hapura. Të fundit që ngelën pa hapur ishin aktivitetet sportive, kulturore dhe sociale, grumbullimet e më shumë se 5 personave, palestrat, plazhet etj., të cilat do të rinisin të hënën e 1 Qershorit si pjesë e fazës 2 të strategjisë së rihapjes.

Por çfarë ndodhi gjatë muajit Maj dhe si po shkojmë drejt rihapjes?

Dita e parë e muajit Maj ka nisur vetëm me 9 raste. Ky trend është ruajtur deri më datë 4 Maj, kur janë regjistruar 8 raste. Një ditë më vonë, (5 Maj) në vend u konfirmuan 17 të infektuar. Që prej asaj dite, siç shihet në grafik, numri i rasteve pozitive ka ardhur duke u ulur deri më 9 Maj. Pas 12 rasteve të regjistruara më 10 Maj, tre ditët pasardhëse (11, 12, 13 Maj) kanë pasur një numër ulët të prekurish, nga 4 çdo ditë.

Më 14 Maj ka pasur sërish një rritje të numrit të të infektuarve. Për katër ditë rresht pati mbi 10 raste. Numri më i ulët i tyre është regjistruar më datë 19 Maj, vetëm 1 i infektuar. Rritje e lartë e rasteve të të infektuarve ka pasur që prej datës 26 Maj pasi që prej asaj dite numri i të infektuarve nuk ka zbritur nën 21, ndërsa më i larti ka shkuar në 26. Deri më 30 Maj, në të gjithë vendin janë konfirmuar 346 raste në total.

Pas më shumë se 3 javësh, pasditen e 23 Majit u shënua viktima e 32-të. Tre ditë më vonë (26 Maj) humbi jetën një tjetër pacient duke e çuar numrin e viktimave në 33.

Situata epidemiologjike në Shqipëri përgjatë muajit Maj

Cilat janë qytetet më të rrezikuara?

Aktualisht në të gjithë vendin janë 232 raste aktive. Kryesisht të infektuarit janë nga Tirana sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Deri në datën 25 Maj, kryeqyteti ka arritur ta menaxhojë mirë situatën. Përveç 14 Majit, kur u shënuan 11 raste, të gjitha ditët e tjera kanë qenë nën 10 raste. Ditët më të mira Tirana i pati më 17 dhe 18 Maj kur nuk pati asnjë rast.

Edhe tre ditët pasardhëse 19, 20, 21 Maj ka pasur nga një rast çdo ditë. Problemet nisën që prej datës 26 Maj, kur u shënuan 24 raste. Ministria njoftoi atë ditë se 15 prej këtyre rasteve ishin në një call center. Një ditë më vonë në Tiranë u konfirmuan 21 të infektuar.

13 prej tyre rezultuan të ishin prekur në QSUT. Në këtë mënyrë spitali u bë vatra kryesore e koronavirusit. Edhe më datë 28, në QSUT u konfirmuan 12 raste, ndërsa në nivel qyteti, 26 raste. Gjithsej në Tiranë u konfirmuan gjatë Majit, deri më 30 Maj, 194 raste.

Situata epidemiologjike në Tiranë përgjatë muajit Maj

Kruja ka qenë një prej qyteteve më aktive me raste përgjatë Muajit Maj. Shkak për këtë u bënë fasoneritë. Deri më datë 16 Maj në këtë qytet ka pasur pothuajse raste çdo ditë, megjithatë asnjëherë nuk e kanë kaluar numrin 5. Ndërkohë javën e fundit të Majit nuk ka pothuajse asnjë rast.

Durrësi ka qenë i qetë gjysmën e Majit. Ndërkohë pas datës 14 Maj janë regjistruar disa raste në lidhje me një fasoneri. Për dy ditë (17, 20 Maj) pati nga 13 raste.

Qytetet që qëndruan fort ndaj Covid-19

Kur flasim për qytete të paprekura nga Covid-19, Gjirokastra kryeson listën. Asnjë rast që prej fillimit të pandemisë në qytetin e gurtë.  Përgjatë muajit Maj Korça, Vlora dhe Dibra ndoqën Gjirokastrën.

Në këto tre qytete nuk u regjistrua asnjë rast. Situatë e qëndrueshme u paraqit  edhe në Kukës e Lezhë me nga 1 raste në gjithë muajin./tvklan.al



Të ngjashme