Tirana vijon të jetë qyteti me numrin më të lartë të rasteve aktive me Covid-19. Listës së tyre iu shtuan katër persona të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 59.

Durrësi është qyteti që ndjek nga pas kryeqytetin për rastet aktive. 53 të tilla janë në qytetin bregdetar, duke e bërë ende të rrezikshëm dhe vatër infeksionesh. Kujtojmë që numri i të prekurve në këtë qytet u rrit ndjeshëm pas disa rasteve në fasoneri.

I treti vjen Kruja. Qyteti krutan numëron 27 raste aktive me sëmundjen. Edhe këtu numri i lartë i të infektuarve u rrit për shkak të punonjësve në fasoneri.

Shkodër këtë të hënë u shtuan dy raste të reja duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve aktive në 12. Berati e ndjek nga pas me dhjetë raste, ndërsa Kamza ka nëntë raste.

Katër raste aktive ka në Fier. Situatë e mirë paraqitet në tre qytete të tjera. Elbasani, Korça dhe Mirdita kanë nga 1 rast.

Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha këtë të hënë se situata në vendin tonë vijon të jetë e qëndrueshme pas vlerësimit në 14 ditët e fundit, bazuar edhe në strategjinë e hapjes.

“Mbështetur në strategjinë e lehtësimit të masave mbi kriteret e rasteve të shtruara në spital, rasteve që kërkojnë trajtim në terapi intensive, rasteve të humbjeve të jetës, situata ka qenë e qëndrueshme, përkundrejt 14 ditëve të vlerësimit të saj”, tha ajo.

Sipas Tominit, kurba epidemike ka qenë e butë./tvklan.al