Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 133 punonjës zjarrfikës, 18 automjete zjarrfikëse, 162 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë punonjës të Pyjores dhe të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë dhe 2 avionë të ardhur nga Greqia.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU TIRANË

Vazhdon puna e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarrin në afërsi të Tunelit të Krrabës në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan. Në vendngjarje është dërguar 1 automjet zjarrfikës si dhe 30 forca ushtarake, por zjarri vazhdon të jetë aktiv.

Vazhdon operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj, bashkia Tiranë. Zjarrfikësit së bashku me forcat ushtarake janë në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thyer kanë vështirësi për shuarjen e zjarrit. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.

Është izoluar vatra e zjarrit në pyllin me pisha të fshatit Cikallesh, bashkia Kavajë. Forcat zjarrfikëse me mjete, të ndihmuar edhe nga helikopteri kanë izoluar zjarrin. Si pasojë u dogj dhe u përshkua një sipërfaqe rreth 90 ha me shkurre dhe pisha.

Në fshatin Maknor, Pezë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje janë dërguar 3 automjete zjarrfikëse me personelin përkatës dhe forca ushtarake, por nuk kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Operacioni vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Në fshatin Kuç, bashkia Vorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje janë dërguar 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues, por nuk kanë mundur të shuajnë plotësisht zjarrit. Operacioni është në vazhdim edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

QARKU BERAT

Zjarri i rënë te Parku i Bogovës, bashkia Skrapar, ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor. Pritet ndihma nga helikopteri.

QARKU ELBASAN

Në fshatin Gjinar, bashkia Elbasan ka vazhduar puna e forcave zjarrfikëse të mbështetura dhe nga forcat ushtarake, për të shuar zjarrin e rënë në shkurre dhe pisha. Ditën e djeshme ka ndërhyrë helikopteri duke ulur intensitetin e zjarrit të rënë. Operacioni është në vazhdim.

QARKU DIBËR

Në fshatin Madhesh, bashkia Burrel, zjarri i rënë ka qenë aktiv. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të pyjores etj., kanë punuar gjithë kohën, por nuk kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit. Ende vazhdon operacioni për shuarjen e flakëve.

QARKU GJIROKASTËR

Në fshatin Jorgucat, bashkia Dropull ka vazhduar zjarri i rënë, në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë, i cili ka kaluar më pas në fshatin Muzinë, bashkia Finiq. Për shuarjen e zjarrit kanë punuar forca zjarrfikëse me automjete, forca ushtarake, dhe forca të bashkive Dropull, Finiq e Gjirokastër.

Në operacione, në fshatin Muzinë, janë përfshirë edhe dy avionë të ardhur nga Greqia.

Gjatë operacioneve kanë marrë plagë të lehta dhe 2 punonjës zjarrfikës, por pa rrezik për jetën e tyre.

Gjatë mesnatës zjarri ka kaluar në afërsi të ‘Syrit të Kaltër’, midis fshatit Muzinë dhe qytetit Delvinë ku po ndërhyhet me helikopter dhe forcat zjarrfikëse.

QARKU SHKODËR

Në Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë frutore. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe disa pemë frutore.

QARKU FIER

Në fshatin Dukas, bashkia Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, bar dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 0,5 ha me shkurre, rreth 30 dengje bari dhe rreth 50 rrënjë ullinj.