Vatrat po përhapen me shpejtësi në Mirditë e Lezhë

Vijon ende të jetë shqetësuese situata me zjarret në veri të vendit. Më problematike gjendja paraqitet në fshatin Patalej të Lezhës , ku si pasojë e erës flakët janë përhapur gjerësisht duke djegur rreth 15 Ha shkurre dhe pemë.

Ndonëse nuk rrezikohen banesa, flakët po përhapen me shpejtësi në Veri-Lindje të fshatit Lalm të lezhës  dhe në Katund të Vjetër në Mirditë. Për të mundësuar izolimin e flakëve po punohet si nga toka ashtu edhe ajri me helikopterë.

E përkeqësuar është situata edhe në fshatin Thirrë të Mirditës, ku janë djegur rreth 220 ha ah, pisha, barishte e dushqe dhe 140 ha kullota.

Vatra e zjarrit është e pamundur të kontrollohet vetëm nga toka për shkak të përhapjes dhe në mbështetje të forcave të armatosura dhe pushetit vendor ka shkuar edhe një helikopter holandez.

Sakaq, në fshatin Flet në Fushë Arrëz  puna për shuarjen e flakëve është ndërprerë nga ajri, për shkak të telave elektrikë që ishin shumë lart dhe rrezikonin punën e heliopterit.  Zjarri nga ana e fshatit Kryezi është vënë nën kontroll, ndërsa në fshatin  Dardhë situata është më e rrezikshme dhe po punohet për ta izoluar.

Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive në Kukës vazhdon të jetë problematike.

E normalizuar paraqitet situata në vatrën e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë ku po punojnë  mbi 50 forca të armatosura për të kryer krehjen e zonës.

Rrezikshmëri paraqet vatra në fshatin Kaçni në Dibër, ndërsa në Qafë Murrë zjarri ka kaluar në një terren shkëmbor dhe me bimësi të pakët, duke mos rrezikuar banesat.

Tv Klan