Ministria e Mbrojtjes njofton se situata e zjarreve në vend sa vjen e përmirësohet. Sot vatrat aktive janë në 6 qarqe dhe po punohet për fikjen e tyre dhe me ndihmën e hekiloperit të ardhur nga Holanda.

1. Qarku Lezhë

Bashkia Mirditë, njësia administrative Fan, fshati Thirrë – Në zonë ka shumë tym dhe si pasojë vështirësohet kryerja e operacioneve efektive nga ajri. Situata momentalisht nuk është problematike, por rritja e temperaturës dhe erës mund të bëjë që situata të dalë jashtë kontrollit. Për fikjen e zjarrit janë angazhuar 40 efektivë të FA dhe rreth 30 nga autoritetet lokale.

Bashkia Mirditë, njësia administrative Rubik, fshati Katund i vjetër. Forcat e Armatosura po punojnë në terren pasi përshkallëzimi i vatrës së zjarrit paraqet rrezik për banesat pranë.

Bashkia Mirditë, njësia administrative Fan, fshatrat Munellë dhe Domgjon – Aktualisht vatra nuk paraqet rrezik dhe po monitorohet në terren.

Bashkia Lezhë, njësia administrative Kolsh, fshati Patalej – Vatra e zjarrit është izoluar në masën 95%. Situata është e qetë dhe në terren janë forcat e pushtetit vendor.

2. Qarku Shkodër

Bashkia Pukë, Mali i Tërbunit – ne Qafe Kumulli fryn ere dhe flaket favorizohen nga barishtet e uleta dhe te thata. Në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 42 trupa te FA, dhe rreth 30 nga autoritetet lokale, perfshire vullnetare.

Bashkia Fuzhë Arrëz, njësia administrative Blerim, fshati Flet – Vatra e zjarrit që ka prekur fshatin Kryezi është izoluar dhe po punohet per shuarjen e totale të saj. Ndërsa nga ana e fshatit Dardhë situata është më e ndërlikuar për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri ka kaluar pjesën e zhveshur të luginës dhe është në drejtim të kurorës me pisha dhe bredh. Në këtë krah po punojnë 40 forca të FA dhe 35 forca nga pushteti vendor dhe sherbimi pyjor.

Bashkia Shkodër, njësia administrative Gur i zi, fshati Gur i zi – Vatra aktualisht është izoluar pasi forcat tokësore kanë krijuar breza ndarës. Sitata po mbahet nën kontroll pasi një rritje e shpejtësisë së erës mund të sjellë përkeqësim të situatës.

3. Qarku Kukës

Bashkia Kukës, Maja e Rrunës – Zjarri është aktiv prej 14 ditësh dhe është në drejtim të fshatit Shëmri. Për normalizimin e situatës është angazhuar dhe helikopteri holandez. 40 trupa nga FA, pushteti lokal dhe vullnetare po punojnë ne terren për shuarjen e flakëve.

Bashkia Has, njësia administrative Golaj, fshati Nikshiq – Autoritetet lokale janë në terren duke shuar flaket.

4. Qarku Elbasan

Bashkia Prrenjas, Mali i Rrajcës – Vatra e zjarrit ndodhet në pjesën lindore të fshatit Skenderbej dhe ka nga një terren shkëmbor me pyll dushku dhe dëllinjë. Falë punës së forcave tokësore aktualisht është mundësuar normalizimi i situatës.

Kjo vatër ka një rëndësi kritike pasi përhapja e perimetrit të saj rrezikon parkun kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Zjarri është në kufi me Maqedoninë e Veriut ku gjithashtu po punohet në anën që ka prekur territorin e tyre. Në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 20 forca të FA dhe zjarrfikësit e Prrenjasit dhe Elbasanit.

Bashkia Peqin – Është aktivizuar zjarri në një vendgrumbullim mbeturinash. Vatra nuk paraqet rrezik por shkakton ndotje të ajrit. Për operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 1 mjet i FA dhe 1 fadromë.

5. Qarku Dibër

Bashkia Dibër, njësia administrative Selishtë, Qafë Murrë, Kacni – Në zonë janë dy vatra zjarri në të cilat intensiteti është i ndryshëm. Në vatrën në anën e Baxhaj, Gura e Vorbullës (Qafë Murrë) situata është vënë nën kontroll dhe nuk ka rrezik. Nga ana e fshatit Kacni ku është përqendruar dhe angazhimi më i madh i forcave zjarri vazhdon të jetë aktiv duke zgjeruar perimetrin në barëra të thata. Terreni është shkëmbor dhe i vështirë për ndërhyrjen e forcave nga toka. Rreziku që paraqitet është kalimi i zjarrit në kurorën e pishave. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 15 forca të FA dhe 23 forca nga strukturat e pushtetit vendor.

6. Qarku Gjirokastër

Bashkia Memaliaj, njësia administrative Krahëz, fshati Allkomenaj – Deri më tani vatra e zjarrit nuk është problematike. Në terren ka pyll me pisha. Në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar zjarrfikësit lokalë./tvklan.al