Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka shkuar pranë fshatit Asim Zenel të Gjirokastrës, atje ku u regjistrua viktima e parë nga zjarret në Shqipëri. Ministri i ka bërë thirrje banorëve në fshatrat Krinë, Asim Zenel dhe Arshi Lengo që të evakuohen.

Po ashtu ai bën me dije se vatrat janë të lokalizuara në disa vende të ndryshme, çka e bën të vështirë punën për t’i vendosur nën kontroll.

Peleshi shtoi se të gjitha forcat e FA-së në dispozicion, zjarrfikësit dhe forcat ajrore do të vendosen në dispozicion të shuarjes së flakëve në Gjirokastër, pasi tashmë situata në Karaburun është normalizuar.

“Situatë e vështirë në fshatra me zjarre të lokalizuara në vende të ndryshme. Nuk është kollaj ta vendosim nën kontroll. Kemi një humbje jete të një banori. Pra me pak fjalë duhet evakuim në tre fshatra. Policia është në krye të punës. Iu bëj thirrje banorëve të mos rezistojnë dhe të dalin sa më shpejt, të evakuohen, të dalin nga fshati. Ne do të bëjmë më të mirën nga të gjitha forcat që kemi këtu dhe nga forcat që po zhvendosen drejt Gjirokastrës për shkak se në Pashaliman e kemi vendosur për momentin nën kontroll situatën. Do t’i përqendrojmë forcat njerëzore, zjarrfikëse dhe ajrore për të bërë më të mirën. Ju lutem bëni më të mirën që të bashkëpunoni me policinë dhe të evakuoheni”, tha Peleshi./tvklan.al