Duke parë situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit, Presidenti Ilir Meta i ka ftuar palët në një takim që kjo çështje të marrë zgjidhje. Kreu i shtetit ftoi kryeministrin Rama, ministren Balluku, sindikatën e kontrollorëve, por edhe përfaqësues ndërkombëtarë në një takim.

Meqenëse jemi në këtë situatë, unë e ftoj kryeministrin, e ftoj ministren, ftoj sindikatën, të bëjmë meqenëse jemi në kushte pandemie unë jam gati për takime të përafërta, ftoj përfaqësues të vendeve të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe, të BE-së dhe të institucioneve europiane të kontrollit ajror ndaj të cilave kemi detyrime pasi mund të merren masa që mund të na penalizojnë si vend që të zhvillojmë në çdo moment që qeveria është e gatshme, një bisedë dhe t’i japim një zgjidhje sa më të arsyeshme dhe më të logjikshme kësaj situate. Siç i kam thënë dhe kontrollorëve, për arsye që i dimë, pra që nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar, pra të pasojave që vijnë nga pandemia do duhet të jemi realistë. Të paktën, zgjidhje të ngjashme apo të përafërta me shtetin e Kosovës apo vendet e tjera të rajonit duhet të japim në mënyrë që siguria e qytetarëve tanë të mos cënohet për asnjë sekond, në mënyrë që detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë të plotësohen me përgjegjshmëri maksimale. Gjithë ky tension është artificial, është një marrëzi”, tha Meta.  

Presidenti i bëri thirrje kryeministrit që të mos bëjë lojëra. Ai u shpreh se kreu i qeverisë ka frikën e zgjedhjeve të 25 Prillit, ku deklaroi se do të bëhen dhe “nuk i luan topi”.

“I bëj thirrje kryeministrit në detyrë t’i thërrasë mendjes, sepse nuk mund të bëhen lojëra të tilla në një moment të tillë për të gjitha arsyet që unë përmenda dhe nuk jemi në Amerikën Latine këtu, të para disa dekadave. Prandaj unë nuk e humbas durimin, dhe nuk shqetësohem nga provokimet e qëllimshme që bëhen, të cilat në fakt kanë vetëm një problem. Dramën e zgjedhjeve pluraliste që një mendje e marrë përjeton për ato zgjedhje që po vijnë më 25 Prill, të cilat do të bëhen dhe nuk i luan topi”, tha Meta.

Kreu i shtetit shtroi disa pyetje edhe për ministren Belinda Balluku, ku tha se ajo ka provokuar dhe akuzuar Presidentin Meta.

“Pas takimit Presidenti kërkon marrjen e masave, ministria nuk angazhohet për të zgjidhur situatën dhe për të zhvilluar një dialog, por angazhohet për të shantazhuar më tej kontrollorët dhe duke nisur procedurat e shkarkimit të disa prej tyre. Pas nisjes ndaj këtyre shkarkimeve kanë filluar dhe largimet në masë nga puna. Nisur nga kjo situatë unë kam një pyetje për ministrin e Transportit që sot doli për të provokuar dhe akuzuar Presidentin e Republikës. Si shpjegohet që për 10 muaj me radhë që për këtë çështje kaq të rëndësishme sipas teje sot të sigurisë kombëtare  dhe jam i lumtur që e vlerëson të tillë nuk gjete kohën të takoheshe me kontrollorët që janë trajnuar prej më shumë se 20 vite nga shteti shqiptar dhe institucionet ndërkombëtare për këtë çështje? Si shpjegohet që ato letrat për koncensionin e Aeroportit të Rinasit, për t’u bërë pa garë ashtu siç e dini ju të gjithë, i bëre për një ditë?”, tha Meta.

Fluturimet në aerportin e Rinasit janë bllokuar pa patur një afat të përcaktuar. Shkak është bërë lënia e punës nga 60 kontrollorë të trafikut ajror në Shqipëri, të punësuar pranë Albcontrol, të cilët kryejnë shërbimin e sinjalizuesit për navigimin ajror dhe ulje-ngritjen e avionëve.

/tvklan.al