Koronavirusi ka infektuar më shumë se 80 mijë persona në të gjithë botën, teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën globale. Specialistë dhe shkencëtarë në të gjithë botën janë duke u përpjekur për të krijuar një vaksinë për këtë virus të rrezikshëm. Tashmë gjendja e alarmit po ndihet shumë edhe në Europë. Italia fqinje është vendi më i prekur nga koronavirusi.

Në një lidhje direkte për emisionin “Historia ime”, në Tv Klan ishte mjekja Rozeta Plumbini, e cila foli për situatën aktuale në Itali.

Mirela Milori: Nga cila zonë e Italisë jeni? Në çfarë qyteti jeni?

Rozeta Plumbini: Unë jetoj në Piemonte, në Asti.

Mirela Milori: Si është situata në Itali për koronavirusin? Si po e përjeton Italia?

Rozeta Plumbini: Ata të infektuar nga virusi korona në këtë moment janë shtrirë në rajone të ndryshme. Mban numrin më të madh Lombardia, më pas Veneto, Emilia Romania, Liguria, Piemonte, Lazio, Sicilia, Toscana. Në Piemonte ku jetoj unë ishin 3 raste deri mbrëmë, ndërsa në qytetin tim nuk kishte asnjë rast. Mbrëmë u hasën edhe rastete e para në qytetin e Astit, 4 raste pozitive që u vunë direkt në izolim. Në momentin që u përhap lajmi se në Itali erdhi virusi korona, ata që luajtën një rol shumë negativ ishin rrjetet sociale. U krijua shumë shpejt një psikozë masive, frike dhe terrori. Pacientët filuan të anulonin vizitat në spitale, por Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me rajone të ndryshme dhe me pushtetin lokal, morën masa shumë të forta në mënyrë që të parandalohej përhapja e virusit në mënyrë masive. Duhet të themi që jeta normale është paralizuar pak, se janë mbyllur shkollat, janë ndaluar të gjitha aktivitetet artistike, kulturore, sportive, fetare, udhëtimet. Tani Italia është duke kaluar në atë fazën e dytë, ku njerëzit janë duke parë që rastet që ishin të infektuara janë duke u shëruar. Edhe janë duke u ndërgjegjësuar mbi vërtetësinë e studimeve që janë bërë më parë në Kinë dhe që kanë vazhduar edhe në Itali. Ky lloj virusi ka një mortalitet jo shumë të lartë, rreth 5 përqind, kap më shumë moshat e vjetra, njerëzit me imunitet shumë të ulët për shkak të sëmundjeve të ndryshme dhe më pak fëmijët. Shihet se është pak më shumë se gripi i zakonshëm.

Mirela Milori: Në Itali si është perceptimi?

Rozeta Plumbini: Jeta është paralizuar pak, por ajo frika e fillimit ka filluar të bjerë se shihet se rastet kanë filluar të shërohen. Unë duhet të them se puna ime si mjeke e familjes deri tani nuk ka të bëjë me anën shëndetësore, por i mbaj afër pacientët që të ruajnë qetësinë, për të mos kaluar në alarm./tvklan.al