DASH: Nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera

Zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit po vonojnë misionet e shpëtimit përfshi edhe evakuimin e atyre qytetarëve afganë të cilët i tremben ndëshkimit nga regjimi taleban.

Pavarësisht gatishmërisë së disa shteteve të treta, përfshi këtu edhe Shqipërinë për të pranuar refugjatë afganë, situata në Kabul ka bërë të pamundur deri më tani realizimin e këtyre operacioneve.

Vetë Presidenti amerikan Joe Biden në një dalje për mediat pas takimit të G7 theksoi, se ka udhëzuar Pentagonin dhe Departamentin Amerikan të Shtetit të përgatisin plane alternative për të përshtatur kohën e tërheqjes.

Departamenti Amerikan i Shtetit i pyetur nga Deutsche Welle lidhur me ardhjen e refugjatëve afganë në Shqipëri dha këtë përgjigje: “Për shkak të natyrës së komplikuar të këtyre zhvendosjeve dhe për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e personave që vijnë, nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera për kohën e mbërritjes, transportin, vendndodhjen lokale dhe destinacionin e mëtejshëm”.

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se vendi ka kapacitete për të pritur një kontingjent deri në 3 mijë afganë, ndërsa si fazë e parë parashikohet të vijnë rreth 300 persona.

Ata do të akomodohen në konviktet e Qytetit Studenti në Tiranë, në disa hotele në qytetin e Durrësit dhe në një hotel në qytetin e Beratit.

Për këtë në aeroportin e Rinasit janë marrë të gjitha masat dhe krahas forcave ushtarake është dislokuar edhe staf mjekësor për të ofruar ndihmë mjekësore dhe psikologjike për të ardhurit.

Shqipëria është në mesin e 12 vendeve që kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë.

Tv Klan