Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë përmes rrjetit social Instagram në lidhje me situatën e krijuar në Kakavijë, ku mijëra qytetarë qëndrojnë në radhë për të kaluar në shtetin grek.

Kryeministri shkruan se vijon komunikimi me palën greke për lehtësimin e procedurave. Ai shprehet se këto rregulla të vëna nga Greqia vlejnë për çdo qytetar të çdo vendi, madje edhe për grekët.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi! Në ndërkohë Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Përmetit, e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjienën sanitare në terren”, shkruan Rama.

Prej disa ditësh në aksin Gjirokastër-Kakavijë vijon të jetë një situatë kaotike pasi mijëra qytetarë janë bllokuar në trafik. Emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi donin të kalonin në shtetin helen para 16 Gushtit me qëllimin që të shmangin karantinimin 7 ditor të vendosur nga pala greke si masë kundër pandemisë.  /tvklan.al