
Situata në Kosovë, Begaj: Dialogu, e vetmja rrugë. Serbisë t’i bëhet më shumë presion nga komuniteti ndërkombëtar
Presidenti Bajram Begaj u shpreh në emisionin “Opinion” se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rrugë drejt paqes.
Ai tha për gazetarin Blendi Fevziu se Serbisë duhet t’i bëhet më shumë presion nga komuniteti ndërkombëtar. Po ashtu sipas tij duhet një qasje e re për dialogun.
“Dialogu është e vetmja rrugë. Nuk ka tjetër rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet që Serbisë t’i bëhet më shumë presion nga komuniteti ndërkombëtar. Duhet që pas kësaj ngjarje duhet një qasje e re për dialogun dhe duhet që Serbia të shprehet qartë që është në favor të paqes, së fqinjësisë së mirë dhe në favor të dialogut”, tha Begaj.
Më tej Begaj tha se, “Faktori shqiptar në rajon duhet të dijë një gjë me siguri. Që partneri ynë strategjik, SHBA mendojnë se jemi kontributorë për paqen dhe sigurinë në rajon. Duke dëgjuar këshillat e tyre mund të them që rruga e vetme për arritjen e normalizimit të mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është dialogu”./tvklan.al