Situata në kufi rikthen përplasjen Rama-Meta



Situata në kufi rikthen përplasjen Rama-Meta

19:51 17/08/2020

PD: Rama mashtron qytetarët, përgjegjës për situatën

Deklaratat e Presidentit Meta kanë rikthyer përplasjet mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë thotë se fajësimi qeverisë për situatën në Kakavijë është thjesht një sebep i radhës për avazin e vjetër të një Presidenti që abuzon me institucionin e lartë, për qëllimet e ulëta të “Lëvizjes së tij të Çintegruar politike”! Sa u takon argumenteve që sjell Meta, Rama thotë se janë parodi tipike alla Baba Xhike.

Nuk ka vonuar përgjigjja e Metës që publikoi këtë shkresë të datës 5 Gusht që ambasadorja e shkarkuar, por ende në detyrë në Athinë, Adriana Hobdari, i përcilltë Ramës duke e njoftuar për rregullat e reja që do aplikonte qeveria greke në kufij në datën 16 Gusht. Meta thotë se u kërkon ndjesë qytetarëve të cilët përjetuan vuajtjet çnjerëzore sepse ministri i Jashtëm që është dhe kryeministër po pushon për 7 palë qejfe.

Por kryeministri Rama iu përgjigj duke cituar gazetën “Ekathimerini”  se radha e veturave që pritën nga Bullgaria në doganën e Kulatas në Greqi, shkoi 10 km, ndërsa ajo e kamionëve arriti 15 km! Por sipas Ramës Presidenti bullgar s’doli të fajësojë qeverinë e as i quajti qytetarët pa atdhe e pa shtet! Por Partia Demokratike thotë se foto e publikuar nga Rama është e vitit 2016.

“Shkrimi i i gazetës greke Kathimerini që paraqitet në foton e Edi Ramës sot, i përket 2 Shkurtit 2016. Megjithatë, asnjë foto nga asnjë kufi tjetër i Europës nuk justifikon dot dështimin e Ed Ramës dhe braktisjen e shqiptarëve”, tha Arben Kashahu.

Demokratët thonë se Rama ishte në dijeni për rregullat e reja që do të aplikoheshin në kufijtë me Greqinë. Sipas selisë blu ky është shpërdorim i pastër detyre që solli si pasojë humbjen e një jete të pafajshme ndaj prokuroria duhet të reagojë.

Tv Klan







Të ngjashme