Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar se nga 1.418 testimet e kryera brenda 24 orëve të fundit janë shënuar vetëm 7 raste të reja me COVID-19. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar edhe 18 viktima tjera që çon në 5.239 numrin total të vdekjeve si pasojë e komplikimeve nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në bilancin e sotëm të viktimave 9 raste janë shënuar gjatë muajit Prill, tek personat që kanë ndërruar jetë në kushte shtëpiake.

Megjithatë, kjo nuk ka zbutur shqetësimet e opinionit për numrin e lartë të vdekjeve, përkundër uljes drastike të infektimeve të reja dhe hospitalizimeve nëpër spitale, që e rendisin Maqedoninë e Veriut në vendin e gjashtë në rang botëror sipas vdekshmërisë.

Autoritetet e shëndetësisë në vend njoftojnë se nëpër Covid-spitalet e Shkupit janë pranuar vetëm 5 pacientë të rinj, kurse numri i përgjithshëm që trajtohen nëpër Covid-qendrat e vendit është 317. Numri i rasteve aktive ka rënë nën 3.000, kurse raportohen dy qytete të vendit, Dojrani dhe Demir Kapija, që nuk shënojnë tashmë asnjë rast aktiv.

Pas 1 Qershorit, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse duhet të propozojë lehtësimin e masave anti-Covid, që sipas njoftimeve do të ndikojnë në fillimin me punë të restoranteve për organizimin e ahengjeve familjare, kurse nuk përjashtohet edhe mundësia që të hiqet detyrimi ligjor për mbajtjen e maskës mbrojtëse në ambiente të hapura dhe kjo t`u lihet qytetarëve sipas zgjedhjes së tyre. 

Klan News