Këmbana të një lufte të madhe mes aleatëve perëndimorë dhe Rusisë po bien në Siri. Ushtria amerikane dhe aleatët britanikë e francezë janë në pritje të urdhrave për sulm ajror kundër regjimit të Assad-it.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, konfirmoi se vendimi për Sirinë do të merret shumë shpejt.

Të mërkurën, shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte paralajmëruar bombardimin e bazave siriane.

Luftanija amerikane Donald Cook ndodhet pranë brigjeve siriane me mbi 60 raketa Tomahok, në pritje të urdhërit për të goditur. Aeroplanmbajtësja gjigande Harri Truman u nis të mërkurën drejt Europës nga brigjet e Virxhinias dhe pritet të mbërrijë javën e ardhshme. Ajo shoqërohet edhe nga 6 luftanije me mbi 6500 marinarë.

Siria dhe aleati i saj më i fortë, Rusia, kanë hedhur poshtë akuzat për përdorim të armëve kimike në Duma. Por presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Perëndimi ka prova konkrete se regjimi qeveritar i Bashar al-Assad ka përdorur gaz klorinë dhe agjent nervor ndaj civilëve.

Përgatitje po bën edhe Rusia. Disa pamje satelitore të portit ushtarak të Tartusit në Siri tregojnë se 11 luftanije dhe 2 nëndetëse ruse të stacionuara aty kanë lëvizur. Në gatishmëri janë edhe sistemet e sofistikuara të mbrojtjes raketore ajrore ruse S-300 dhe S-400, për të cilat ekspertët thonë se rrëzojnë çdo raketë që u kap radari.

Tv Klan