Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit ka sjellë edhe më shumë forca speciale të policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Vetëm dy muaj e gjysmë më parë, pas trysnisë disajavëshe të BE-së, Qeveria e Kosovës ra dakord që të përgjysmonte praninë e njësisë speciale policore përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje.

Vendimi i Kurtit për të mbajtur në detyrë katër kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave veriore nxiti reagimin, e dhunshëm, të popullatës lokale serbe.

Sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbe qëlluan policinë e Kosovës duke vrarë reshterin Afrim Bunjaku u dha kah tjetër zhvillimeve.

Krahas shtimit të pranisë policia kosovare tashmë ka shtuar vigjilencën përreth brezit kufitar.

Kjo sipas zyrtarëve kosovarë është bërë në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Sipas tyre nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon policinë speciale të Kosovës që të veprojë edhe në katër komunat në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, njësoj si në të gjithë territorin e Republikës.

Armiqësia e popullatës lokale ndaj policisë së Kosovës, vijon që nga paslufta, më 1999.

Kundërshtimet ndaj policisë speciale janë rritur në dy vjetët e fundit, qe pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjisrimin e makinave me targa ilegale serbe, i cili ka rritur tensionet në veri dhe ka çuar në largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Në veri të Kosovës jetojnë rreth 50.000 serbë.

Që nga paslufta, shumica e tyre nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës, por të strukturave paralele që funksionojnë atje nën dirigjimin e Serbisë.

Me një vendim të komandantit të KFOR-it më 2014, policia e Kosovës mund të patrullojë deri në një kilometër afër vijës kufitare me Serbinë.

Pas trazirave të Majit, KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë me disa qindra ushtarë.

Ky mision e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe ka thënë se është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme.

Klan News