Pas përfundimit të zgjedhjeve, situata e pandemisë në Kosovë është përkeqësuar.

Veçanërisht në tri ditët e fundit është rritur ndjeshëm numri i infektimeve. Ndërkohë ende nuk ka një datë se kur do të mbërrijnë dozat e vaksinës.

Gazetarja Blerta Berisha ka raportuar për Klan News se ora policore është hequr fare, teksa premtimi për vaksinat rezulton të ketë qenë thjesht një premtim për fushatë.

“Para më shumë se një jave, qeveria liroi disa masa. Nga ora 9:30 në vendet me zonë të kuqe, lokalet dhe veprimtaritë ekonomike lejohen që të punojnë deri në orën 22:00 dhe është hequr fare ora policore.

Për fat të keq edhe çështjen e vaksinave mund ta lidhim me fushatën zgjedhore. Mbetet të ketë qenë vetëm një fushatë edhe çështja e premtimit që vaksina do të arrijë në muajin shkurt, të cilit i kanë mbetur edhe dy ditë. Vaksinat nuk janë askund, madje nuk ka premtime që do të ketë vaksina.

Mund të ndodhë ndoshta një mrekulli, por nuk është se kanë premtuar. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk po dalin në konferenca për media, por informacionet po i japin në mbledhjet që kanë dhe që nuk kanë qasje me gazetarët për të bërë pyetje. Në komunikata është përmendur që po punohet për sigurimin e vaksinës, por ende nuk ka asgjë konkrete”, u shpreh gazetarja Blerta Berisha nga Kosova.

Klan News