Ambasada amerikane në Tiranë reagoi ashpër ndaj dhunës në KZAZ-të nga mbështetësit e opozitës. Përmes një deklarate në Facebook, përfaqësia diplomatike i konsideron të pakuptimta sulmet ndaj punonjësve civilë dhe institucioneve arsimore. Ambasada bën thirrje për sigurimin e procesit zgjedhor.

“Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht ndërkohë që, bën që ata që përfshihen në dhunë, të mbajnë përgjegjësi”.

Ambasdada amerikane në Tiranë bëri një apel edhe për protestën e së premtes, në veçanti ajo i drejtohet organizatorëve të saj.

“Iu bëjmë thirrje organizatorëve të protestës së nesërme që të mbajnë përgjegjësi përballë po të njëjtave parime, t’iu bëjnë thirrje publikisht mbështetësve të tyre të mblidhen paqësisht si dhe të refuzojnë energjikisht dhunën në çdo mundësi”.

Për këto qendrime të ambasadës amerikane, reagoi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj duke e cilësuar atë si një kontribut tjetër për të mbështetur një të ardhme të palëkundur euroatlantike të Shqipërisë.

Tv Klan