Napoli nuk po kalon një periudhë të mirë. Duket se te napolitanët nuk ka më qetësi, dhe sikur të mos mjaftojnë rezultatet aspak të mira të skuadrës, tani edhe situata brenda skuadres nuk është më e mira.

Skuadra i është  kthyer menjëherë stërvitjes, për t’u përgatitur për ndeshjen e ditës së diele, ndaj Bolonjës, pas barazimit 3-3 ndaj Sasuolos, që la një shije të keqe.  

Trajneri Gennaro Gattuso nuk ishte aspak  i qetë në stërvitje, pasi ka larguar një lojtar nga stërvitja duke e dërguar në shtëpi.

Bëhet fjalë për Mario Ruin, i cili duket se nuk ka qenë i impenjuar në stërvitje dhe kjo ka lënë një shije të keqe te trajneri dhe për këtë arsye është dërguar në shtëpi.

Gatusso nuk e ka toleruar këtë paraqitje të Ruit  gjatë stërvitjes dhe i kërkoi të largohej, raporton “La Gazzetta dello Sport”.

Mbrojtësi nuk është aktivizuar në ndeshjet e fundit në kampionat, teksa në vendin e tij në të majtë të mbrojtjes, Gatuzo ka preferuar Ghulamin.

Klan News