Situatë alarmante në Kakavijë


Situatë alarmante në Kakavijë

12:49 14/08/2020

Mijëra qytetarë në pritje për të ikur në Greqi. Rrezik për infektime masiv

Situata në pikat kufitare tokësore me Greqinë në Kakavijë sa vjen e përkeqësohet. Mijëra qytetarë te tjerë janë duke pritur në radhë kilometrike ndërkohë që kalimi ne kufi po lejohet vetëm në orarin 06:00 deri 22:00 e mbrëmjes.

Nga kjo pritje e gjatë që po vijon për disa ditë në kufi, pesë persona ndër to fëmijë e të moshuar kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe janë detyruar të kthehen mbrapsht për të marrë mjekim me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës.

Dogana shqiptare fajëson palën greke se nuk po punon me kapacitet të plotë ndërsa vonesat nuk po shkaktohen sipas tyre nga Policia Kufitare, por prej autoriteteve shëndetësore greke që po kryejnë testime masive të emigrantëve tanë.

Ndërkohë aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë është i bllokuar. Situata vijon të jetë kaotike, pasi emigrantet janë gjetur të papërgatitur për dokumentacionin që kërkon pala greke dhe testimin që ajo po ju bën në kufi për koronavirus ndërsa shihet që shumica e tyre nuk mbajnë maska dhe distancën fizike. Krahas njerëzve të sëmurë në këtë radhe kilometrike nën temperaturë të larta ka edhe fëmijë, gra dhe pleq që presin të hyjnë në tokën helene.

Klan Plus




Të ngjashme