Mbi 4 mijë viktima dhe 400 mijë raste të reja

India njoftoi të shtunën një tjetër rekord ditor viktimash nga koronavirusi. 4187 ndërruan jetë në 24 orët e fundit duke e bërë shifrën më të lartë të viktimave që nga nisja e pandemisë në nivel global. Autoritetet njoftuan edhe mbi 401 mijë raste të reja të konfirmuara.

Të dhënat e reja vijnë ndërsa presioni rritet mbi qeverinë për të zbatuar një mbyllje në të gjithë vendin. India ka zyrtarisht më shumë se 21.8 milionë të infektuar dhe gati 240 mijë jetë të humbura nga Covid.

Infektimet pësuan një rritje të konsiderueshme që prej muajit shkurt duke ia faturuar situatën dramatike varianteve më ngjitëse të përhapura në vend si dhe vendimeve të qeverisë për të lejuar që turma masive të mblidhen për festivale fetare dhe tubime politike.

Ekspertët paralajmërojnë se më e keqja nuk ka mbërritur ende në spitale ka mungesë të oksigjenit, shtrimet i kanë tejkaluar kapacitetet ndërsa krematoriumet janë të mbushura me viktima. Janë shokuese pamjet përpara spitaleve ku pacientët qëndrojnë me orë të tëra në makina në pritje të marrjes së shërbimit.

Tv Klan