Qeveritë perëndimore po përpiqen të tërheqin personelin e tyre dhe afganët që kanë bashkëpunuar me ta

Afganët e thjeshtë kanë provuar çdo mënyrë për t’u larguar nga vendi i tyre i pushtuar tashmë nga talebanët. Aeroporti i Kabulit është ende në kaos me njerëz që kanë shërbyer për ndërkombëtarët dhe që qeveria amerikane, ajo britanike, gjermane, franceze dhe holandeze po përpiqen t’i tërheqin bashkë me personelin e tyre diplomatik.

Aeroplanë me qindra të zhvendosur nga Kabuli kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Një aeroplan i Forcave Ajrore Mbretërore Britanike që mbante shtetas britanikë dhe stafin e ambasadës ka mundur të largohet nga kryeqyteti afgan dhe ka sjellë këta njerëz të dëshpëruar në bazën ajrore në Oxfordshire.

Në një fluturim tjetër të administruar nga qeveria gjermane u bë e mundur që të transportohen 130 afganë drejt aeroportit të Frankfurtit. Ndërkaq ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se 25 shtetas francezë dhe 184 afganë janë evakuuar dhe kanë zbarkuar në Abu Dhabi.

Më vështirë ka rezultuar për qeverinë holandeze që sipas ministres së Jashtme Sigrid Kaag kaosi jashtë aeroportit të Kabulit e bëri të pamundur marrjen e shtetasve te saj për momentin. Holanda synon që të marrë 1.000 punonjës të ambasadës lokale, përkthyes afgane si dhe familjet e tyre.

Është situatë e tmerrshme, shumë nga njerëzit tanë ishin atje në portat e aeroportit me familjet e tyre“, tha Kaag. Në rrjete sociale është duke qarkulluar një video ku shfaqet një i ri duke filmuar veten dhe afganë të tjerë.

Ata kishin hipur në pjesën e rrotave të avionit dhe mbaheshin me forcë në strukturat e hekurta. Video shfaq momentet kur avioni nis të fitojë shpejtësinë dhe ngjitet për në qiell. Dhe janë pikërisht disa prej tyre qe raportohen të vdekur nga rënia nga lartësitë.

Mijëra afganë kanë hyrë në Pakistan përmes vendkalimit kufitar Spin Boldak/Chaman në juglindje të Afganistanit, pas marrjes nën kontroll të vendit nga talebanët afganë.

Klan News