“Lëkundjet në Shqipëri të pazakonta nga normalja”

Lëkundjet e vazhdueshme dhe të fuqishme sizmike në Shqipëri që ende nuk po përfundojnë, sipas sizmologëve të huaj janë të pazakonta.

Duke folur për mediat greke, sizmologu Efthimios Lekkas, president i Organizatës për Planifikimin e Mbrojtjes nga Tërmetet thotë se këto lëkundje kanë përmbysur disa nga rregullat e deritanishme të sizmologjisë.

 Janë dhjetëra goditje të magnitudave mbi 4. Kishim një 5.5. Në shtator ra një i fuqishëm me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter dhe menduam se ishte tërmeti kryesor. Por kjo sekuencë sizmike në këtë zonë është e pazakontë dhe në kushte të tilla është e vështirë të bësh parashikime”.

Të pazakonta janë lëkundjet e shumta dhe të fuqishme edhe për sizmologun finlandez Toni Veikkolainen. Ai shpjegon në një intervistë për radion Europa e Lirë se Shqipëria ndodhet në një zonë të prekshme nga tërmetet, pasi është në kufirin mes dy pllakave tektonike. Sipas tij, lëkundjet mund të zgjasin edhe për disa ditë.

“Është një zonë shumë e prirur ndaj tërmeteve. Në këtë zonë ka pasur shumë tërmete historike, sepse është shumë pranë kufirit të pllakave tektonike midis Euroazisë dhe Adriatikut. Ato mund të zgjasin disa ditë. Dridhjet që pasojnë pas tërmetit të parë, mund të jenë edhe të magnitudave të larta. Tërmetet nuk mund të parashikohen, por mund të ndërmerren disa masa për të parandaluar dëmet e mëtejshme nga dridhjet që pasojnë”.

Ai thotë se emergjente për situatën në Shqipëri është shmangia e viktimave duke larguar banorët nga ndërtesat e dëmtuara.

Tv Klan