Qëndrimi në Vlorë i dy oficerëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda, për të mbledhur prova që do të mund të faktojnë dëshminë e Albert Veliut, se ai ka takuar Agron Xhafajn, deri tani nuk rezultuar i suksesshëm.

Nga këqyrja e lokalit ku pretendohet se Veliu ka takuar vëllain e Ministrit të Brendshëm, nuk janë gjetur kamera sigurie që mund ta vërtetonin këtë.

Në këtë mënyrë bie një nga mundësitë që do të shërbente për të lidhur deklarimet e Veliut me një provë që do të faktonte takimin e tij me Agron Xhafajn në lokalin e tij.

Një takim i tillë nuk u konfirmua as nga gazetari, i cili u pyet për këtë të hënën, në studion e emisionit “Opinion”.

As në lokalin tjetër ku pretendohet se Veliu ka qëndruar me gazetarin Olldashi nuk ka pasur kamera sigurie.

Tashme puna e grupit hetimor është fokusuar tek identifikimi i personave që përmenden në audio-përgjime.

Prioritet për hetuesit është zbulimi i identitetit të personit me emrin Ermal, i cili në audio-përgjimin e realizuar nga Veliu, përmendet si njeriu që do të mundësonte trafikun e kanabisit.

Gjithashtu po punohet edhe për identifikimin e tre personave të tjerë, të cilëve Veliu dhe gazetari kanë kërkuar t’i blejnë kanabis. Nga kompanitë telefonike janë kërkuar tabulatet telefonike të numrit që ka përdorur Albert Veliu, për të parë me cilët ka komunikuar ditën kur është kryer përgjimi.

Tv Klan