PD: Ndryshimet kushtetuese dhe ato në kod të kalojnë së bashku

Takimi i radhës i Këshillit Politik nuk ishte produktiv edhe pse palët diskutuan për afro 4 orë.

Koalicionet parazgjedhore dhe përcaktimi kushtetues për to nuk i bën shumicën dhe opozitën jashtë parlamentit të jenë në një mendje për ndryshimet kushtetuese.

Demokratët dhe aleatet e tyre kërkojnë që përcaktimi të mos ndryshojë edhe pse listat zgjedhore do të jenë të hapura 100 përqind. Si garanci ata kërkojnë që ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit dhe ato që do të pasojnë në Kodin Elektoral të kalojnë së bashku.

Shumica edhe nëpërmjet eksperteve siguron se ndryshimet kushtetuese nuk kufizojnë koalicionet parazgjedhore dhe se pas miratimit të tyre në kuvend, palët mund të ulen dhe të adresojnë çdo çështje në kodin elektoral. Por për të rënë dakord me opozitën jashtë parlamentit që përcaktimet për koalicionet parazgjedhore të mos ndryshojnë pavarësisht hapjes së listave, ata kërkojnë një model që aplikohet ne një nga vendet anëtare të OSBE.

Por kur na ndajnë më pak se 48 orë nga seanca kur është përcaktuar të miratohen ndryshimet kushtetuese kryeministri Rama riperforcojë qëndrimin e shumicës. Me apo pa aprovimin e opozitës jashtë parlamentit, ndryshimet që kërkojnë  94 vota do t’i nënshtrohen votimit në seancën e 30 Korrikut.

Sipas kryeministrit pengesa e opozitës nuk është as kushtetuese, as juridike, po thjesht politike kjo pasi në optikën e tij, duan të marrin peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde.

Por opozita reagoi edhe për këtë deklaratë të Ramës, duke thënë se heqja e koalicioneve parazgjedhore, pragu kombëtar për partitë e vogla dhe ndryshimi i zonave zgjedhore, nuk janë risi, por halli personal i kryeministrit me zgjedhjet e ardhshme dhe halli i krimit të organizuar me Qeverinë e ardhshme.

Tv Klan