Makinat parkojnë në korsitë e lëvizjes, mungon policia

Trafiku në rrugën e “Porcelanit” në Tiranë vijon të jete problematik. Qytetarë të papërgjegjshëm vazhdojnë të parkojnë ne korsitë e lëvizjes, ndërsa policia nuk arrin ta verë situatën nën kontroll.

“Ora shënon 15.00. Në këtë orë të ditës, rruga e “Porcelanit” ka një lëvizje të shtuar, por drejtuesit e automjeteve parkojnë të pashqetësuar në anët e korsive duke e bllokuar rrugën me minuta e minuta të tëra”.

Situata bëhet më problematike kur automjetet parkojnë në të vetmen korsi që ngjitet drejt “Porcelanit”. Kjo i detyron automjetet e tjera të kalojnë në korsinë që i përket krahut të kundërt, duke shtuar rrezikun për përplasje ballë për ballë me makinat që vijnë në drejtim të qendrës së qytetit.Nuk mungojnë as manovrat e rrezikshme në mes të rrugës.

Ekspertët thonë se vijëzimi me 3 korsi i rrugës së “Porcelanit” është bërë në mënyrë të gabuar, sinjalistika e paplotë. Por teksa askush nuk merr masa ta ndryshoje sinjalistikën, e as Policia Rrugore nuk është prezente për ta rregulluar qarkullimin dhe për të ndëshkuar ata që shkelin rregullat.

E kontaktuar nga Tv Klan në fillim të Janarit, policia ka sqaruar disa herë se kjo rrugë po monitorohet vazhdimisht dhe janë aplikuar gjoba për drejtuesit që thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor. Po siç duket nga këto pamje, as këto masa nuk i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike.

Tv Klan