Katër të rinj të cilët po lundronin me skaf në Karaburun të Vlorës, u shpëtuan nga Policia Kufitare. Mjeti i tyre lundrues pësoi defekt në motor teksa ata po e testonin nga ana mekanike.

Dy prej të rinjve dolën me not në breg të gadishullit dhe kërkuan ndihmë për dy shokët e tjerë, që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Gjiri i Varkave”, kanë gjetur mjetin lundrues së bashku me dy personat që ishin në bord.

Katër të rinjtë janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë për në Triport, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Gjendja e tyre shëndetësore raportohet të jetë e mirë.

Tv Klan