Spasovski: Një nga të arrestuarit është njeri i afërt me kreun e opozitës

Afera me dhënien e 214 pasaportave të falsifikuara për kriminelë rajonal të nivelit të lartë, ka marrë drejtim tjetër pasi Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot në mëngjes deklaroi se një nga nëntë personat e arrestuar, i punësuar në repartin e dhënies së dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve të tjera në Shkup ka qenë në komunikim të rregullt me liderin e opozitares VMRO-DPMNE.

“Në qoftë se e kemi parasysh se një nga  të arrestuarit është në lidhje të ngushtë, kontakte të drejtpërdrejta dhe të përditshme me liderin e opozitës, atëherë hapet një dilemë vërtetë serioze pse është bërë kjo.”

Opozitarja VMRO-DPMNE, partia nga selia e së cilës para dy ditësh për herë të parë zbardhi aferën “Mafia”, këtë pohim sot e cilësuan si “qesharak”.

“Këto janë gjëra qesharake. LSDM-ja për disa ditë me radhë plason lajme të rrejshme, fake news klasik, shkund pendët me qëllim që në këtë mënyrë ta fsheh përgjegjësinë personale, duke menduar se e defokuson opinionin. I vetmi me të cilin kryetari Hristijan Mickoski ka pasur kontakt në periudhën që ka kaluar dhe i cili ndoshta është i lidhur me këto gjëra është Zoran Zaev.”

Detajet e reja për aferën thonë se pasaporta të falsifikuara të Maqedonisë me identitete të rrejshme janë shitur për shuma rreth 20 mijë euro, tha Ministri Spasovski.

Pasaportë të tillë, sipas informacioneve të Nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Aleksabdar Nikolovskit ka poseduar Florijan Musaj, udhëheqës i kartelit të njohur të drogës nga Shqipëria, me të cilën ka udhëtuar në gjithë botën, pastaj Stefan Gjukiq, i dyshuar për tentim për vrasje në Ukrainë, Jovan Vukotiq, i dënuar në Beograd për posedim të pasaportës së Maqedonisë së Veriut me identitet të rrejshëm, si dhe turku Sedat Peker, i cili katër ditë pasi është dëbuar nga Maqedonia e Veriut, është fotografuar në stacionin policor në Shkup që marrjen e letërnjoftimit, pohojnë nga VMRO-DPMNE.

Klan News