Nën akuzë drejtuesit e Universitetit të Perugia-s

Skandal në Itali me provimin e gjuhës që Luis Suarez dha për të marrë nënshtetësinë italiane. Prokuroria kishte hapur hetimet pas denoncimit për falsifikim të rezultatit. Disa persona u vunë në përgjim dhe një prej fjalive që u kapën është: nuk duhet ta kalojë, por do ta kalojë, sepse me 10 milionë rrogë nuk mund ta ngel sepse nuk ka nivelin B1.

Nga përgjimet del se drejtuesit më të partë të Universitetit të Perugia-s për të huajt kanë qenë në dijeni pasi rezulton se kanë qenë të gjithë dakord që Suarez të kalojë provimin. Nënshtetësia italiane i duhej Suarez për arsye pune, që do të thotë, do të mund të luante titullar në skuadrat e Serie A, si qytetar i Bashkimit Europian dhe jo si ekstrakomunitar.

Sipas prokurorisë nga personat nën hetim janë kryer veprime me qëllim falsifikimin e dokumenteve të provimit. Veç kësaj sezoni i provimit është krijuar enkas vetëm për Luis Suarez.

Uruguajani i është nënshtruar një testi para provimit për të qenë në dijeni se me çfarë do të përballej, por në fakt personat që e kanë vënë përpara këtij testi i kanë dhënë saktësisht pyetjet të cilat do të kishte në provim. Mësohet se Suarez flet italisht, por nuk di të zgjedhojë apo të lakojë. Prokuroria po sekuestron dokumente, si dhe ka ndërmend të ngrejë një tjetër akuzë për nxjerrje të sekretit zyrtar, falsifikim i kryer nga zyrtarët publikë në shkresa zyrtare.

Luis Suarez u përfol se kërkohej nga Juventus, por bardhezinjtë nënshkruan së fundmi me Alvaro Morata.

Tv Klan