Shërbimet gjermane të zbulimit përfshihet në një skandal spiunazhi në Austri. Shtypi vjenez shkruan se shërbimi federal gjermane e informacionit BND ka mbajtur për 7 vite nën përgjim zyrtarë, politikanë, institucione e organizata austriake e të huaja që veprojnë në territorin e këtij vendi. Nën shenjestrën e zbulimit gjerman mbi 2 mijë subjekte.

Pre e përgjimeve të kryera gjatë periudhës mes viteve 1999 – 2006 kanë rënë edhe disa ministra e përfaqësi të huaja diplomatike si ajo e Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Iranit, Irakut e të tjera vendeve myslimane deri tek ambasada e Koresë së Veriut. Në listën e gjermanëve ka pasur numra telefonikë të zyrtarëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, OSBE-së dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës.

Presidenti austriak Aleksander Van der Belen tha se përgjimi mes vendeve partnere ishte i papranueshëm. Ndërsa kancelari Sebastian Kurc kërkoi sqarime nga qeveria gjermane. Përgjimet sjellin në vëmendje skandalin e vitit 2013, kur ish-agjenti Eduard Snouden zbuloi se agjencia amerikane e sigurisë kombëtare NSA kishte kryer përgjime të ngjashme ndaj shumë vendeve aleate. Më vonë u zbulua se me atë agjenci kishte bashkëpunuar edhe agjencia gjermane BND.

Tv Klan